Terapia hormonale/ PD kërkon ministren e Shëndetësisë në Komision, Shalsi: S'do ta thërrasim

Deputetët e PD-së kanë ngritur zërin sot në Komisionin e Shëndetësisë për të thirrur ministren e dikasterit në një seancë dëgjimore për të dhënë shpjegime mbi urdhrin për miratimin e udhëzuesit të praktikës klinike për trajtimin hormonal të personave trasgjinorë në QSUT.

Propozimi u bë nga kreu i komisionit, deputeti Bardh Spahia, i cili ngriti dhe disa pyetje që ministrja Evis Sala duhet  t’i japë përgjigje.

“Kisha në plan ti paraqisja komisionit kërkesën time për thirrjen e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale në seancë dëgjimore për të raportuar për urdhrin për miratimin e udhëzuesit të praktikës klinike për trajtimin hormonal të personave trasgjinorë në QSUT.

Kush e përcaktoi kufirin e moshës 14 vjeç për realizimin e kësaj terapie?

Mbi çfarë studimesh apo baza klinike . Kush është ideatori i urdhrit të tillë?

Çfarë impakti financiar ka realizimi i urdhrit të tillë?

A do të ketë ndërprerje fondesh për shërbime të tjera?

A do të ketë ndërprerje fondesh për terapi për sëmundjet terminale

A do të ketë ndërprerje apo anulim të blerjeve të aparaturave diagnostikuese e jetëshpëtuese si pet skaner , braktiterapia?"

Edhe deputeti demokrat, Tritan Shehu e quajti skandal të vërtetë në kundërshtim me natyrën gjinore.

“Jemi përpara një ngjarjeje të jashtëzakonshme që lidhet me antisistemin shëndetësor shqiptar dhe komisioni i Shëndetësisë nuk duhet të qëndrojë në heshtje. Duhet të kërkojë shpjegime e të shprehet qartësisht.

Ka një dokument të paligjshëm, kriminal, pirat, skuthash të nxjerrë nga MSH për përdorimin hormonal të ndryshimit të seksit duke nisur nga mosha 14 vjeçare. Një skandal i vërtetë në kundërshtim me natyrën gjinore.

Trans është patologji apo orientim seksual. Ata që kanë bërë urdhrin të japin përgjigje. Nëse nuk kemi të bëjmë me patologji nuk ka të bëjë MSH.

Është një vendim krejtësisht i pabazuar në ligj. Nuk mundet MSH të nxjerrë vendime të tilla të pakaluara në ligj. Goditet koncepti i gjenderit biologjik. Ju doni të shkoni tek familja me prindin 1 dhe prindin 2 në vend të nënës dhe babait. Numrat mund ti keni por skeni dakordësinë e opinionit shqiptar”

Në një përgjigje arrogante deputeti socialist Eduard Shalsi tha se ministren nuk do ta thërrasim. Kjo ngjalli debatin.

Eduard Shalsi: Ministren nuk do ta thërrasim këtu, dhe nuk do të marrim vendim për të thirrur ministren” 

Bardh Spahia: Kjo deklarata juaj që nuk do thirret ministrja ishte në emër të të gjithë kolegëve tuaj apo personale? Se tani, në qoftë se i trajtoni kolegët pa i marrë fare mendim që 'nuk do thirret ministrja dhe pikë', është një mungesë respekti ndaj kolegëve dhe ekstremisht mungesë respekti ndaj të drejtës së qytetarëve për t'u informuar nga ministrja për një vendim të cilin tek e fundit e ka marrë besoj me koshience të plotë. Dhe s'ka asnjë gjë të keqe me ardhë e me dhënë sqarime, me bë transparencë përpara qytetarëve. Tani si ju duket ju? Ju duket normale kjo deklarata juaj 'nuk do vijë ministrja'? Kush jeni ju që thoni nuk do vijë ministrja? Për një kërkesë për transparencë tek e fundit, dhe për informim të opinionit publik. Për një çështje që realisht e ka shqetësuar ekstremisht shumë opinionin publik, dhe çështje e turpshme në fakt.
Eduard Shalsi: Shihni forcën politike tuajën, merruni me të, por mos u sillni... Mos u merr me ne...

Bardh Spahia: Më fal zoti Shalsi. Gaboni që e politizoni! Kjo çështje që po diskutojmë këtu nuk është çështje politike fare! Nuk është çështje që prek vetëm krahun e djathtë apo krahun e majtë. Gaboni shumë kur i trajtoni politikisht këto çështje që kanë sensitivitet të lartë për çdo qytetar shqiptar.