Qytetarët të revoltuar për Zvërnecin, PS feston 35-vjetorin në Tiranë. Rama i thur lavde Gramoz Ruçit: "Krye-agjenti" i vërtetë

Dega e Partisë Socialiste në Tiranë ka zgjedhur të kremtojë sot 35 vjetorin e themelimit të saj.

E ndërsa qytetarët po protestojnë prej më shumë se 1 ore te dera e zyrës së tij prej 3 ditësh tashmë të revoltuar nga ngjarja e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama zgjodhi të shfaqej në media teksa po mban një fjalim të gjatë, ku zbuloi detaje të padëgjuara më parë rreth funksionimit të brendshëm të Partisë Socialiste dhe figurës së Gramoz Ruçit.

Ruçi u përshkrua nga Rama si njeriu me rrjetin më të gjerë të kontakteve në të gjithë vendin, duke mbajtur lidhje të pandërprera nga veriu në jug që para themelimit të partisë.

Një detaj i veçantë që tërhoqi vëmendjen ishte mënyra e tij e komunikimit me bazën.

Sipas Ramës, ai refuzon kategorikisht të përdorë mesazhe me tekst për të mos lënë gjurmë si një "kuadër i vjetër", duke preferuar gjithmonë telefonatat e drejtpërdrejta.

Përkushtimi i tij ndaj ngjarjeve sociale, si ngushëllimet dhe dasmat, u cilësua si një rekord i pakapshëm për çdo politikan tjetër.

Kulmi i fjalimit u shënua kur Gramoz Ruçi u pagëzua publikisht si "kryepatronazhisti" i socialistëve.

Me nota ironie ndaj akuzave të opozitës, u theksua se profili dhe fytyra e tij e ngrysur i japin vërtet pamjen e një "kryeagjenti", gjë që pritet të ndezë sërish debatet e nxehta mbi sistemin e shumëpërfolur të patronazhimit.

Megjithatë, theksi i vërtetë u vendos tek baza e partisë, duke konfirmuar para të gjithëve se patronazhistët në terren mbeten arma e fshehtë dhe arsyeja themelore e çdo suksesi elektoral.

FJALA E RAMES

Pse askush nga ne nuk ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug, nga ditët para themelimit, gjatë themelimit, mbas themelimit.

Dhe askush nga ne nuk e ka arritur dhe nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë dhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS, është kuadër i vjetër thotë "mos lër gjurmë", po me telefon një për një.

Ata i shkruajnë, Gramozi i përgjigjet. Jo vetëm kaq, po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, në rradhë të parë për vaki, për ngushëllime, e për dasma, e për pagëzime, janë të panumërta.

Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot dhe që shumëkush nga ata që nuk e dinë se si funksionon Gramozi me fytyrën e tij të vrejtur, është që në fakt Gramozi është kryepatronazhisti i Partisë Socialiste.

Unë e di tani që kjo do ta ngatërrojë prapë opozitën dhe do t'i ngatërrojë prapë të gjithë ata që e mendojnë sistemin e patronazhimit si një sistem agjenturor i Partisë Socialiste, se Gramozi nga fytyra e ngrysur ka dhe atë hijen e krye-agjentit.

Por, nga Gramozi, unë dua të kaloj tek ata që askush s'i përmendi, se të gjithë thonë socialistët kështu në tërësi, por që janë arsyeja bazë e të gjitha sukseseve tona elektorale, që janë patronazhistët e Partisë Socialiste.