L*fta kundër kr*mit/ Braho: SPAK përballet me çështje gjithnjë e më komplekse! Sfidat e reja kërkojnë mbështetje buxhetore
Kreu i SPAK Klodian Braho foli sot në 2 qershor, pas rekomandimeve të qeverisë për vitin 2026, që u prezantuan nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu.
Braho bëri me dije fillimisht se sfidat e reja në luftën ndaj krimit kërkojnë teknologji të re dhe buxhet të shtuar.
“SPAK është përballur me ngarkesë pune më të madhe, me çështje më komplekse, me pritshmëri më të larta publike dhe forma kriminaliteti që ndryshojnë shpejt. Korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, kriptovalutat, komunikimet enkriptuara kërkojnë përgjigje institucionale më të specializuar, më teknike dhe më të qëndrueshme. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm tej ndjekja e autorëve individuale, por duhet të synojë strukturat, mekanizmat e përfitimit, rrjetet mbështetëse, pasuritë që pasurojnë nga veprimtaritë kriminale.
Për këtë arsye hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës tonë. SPAK do forcojë qasjen pro aktive në hetim. Krimi i organizuar nuk pret të referohet, ai duhet identifikuar, analizuar dhe goditur përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtare dhe përdorimit të mjeteve moderne. Kjo kërkon prokurorë të specializuar, hetues të përgatitur, analistë financiar dhe ekspertë.
Është e rëndësishme që sfidat e reja të shoqërohen me mbështetje të reja buxhetore, Kjo mbështetje nuk duhet parë si privilegj institucional, por si investim në aftësitë e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në mënyrë sa më efektive”, tha Braho.
