Ristrukturimi i PD-së pas 30 majit/ Nuri: Rreth 30% e anëtarëve të rinj janë nën moshën 30 vjeç
Partia Demokratike po kalon në një fazë të thellë ristrukturimi, duke synuar një riorganizim tërësor për t'u përballur me maxhorancën socialiste. Pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar më 30 maj, vëmendja është zhvendosur te ripërtëritja e strukturave të saj më të larta, konkretisht te Këshilli Kombëtar.
Sipas informacioneve të bëra publike nga përfaqësuesi i kësaj force politike, zoti Nuri, Këshilli Kombëtar ka pësuar një transformim thelbësor. Rreth 30% e anëtarëve të rinj janë nën moshën 30 vjeç, duke përfshirë të rinj të arsimuar jashtë vendit, pjesëtarë të rrjetit intelektual, si dhe një përfaqësim të gjerë nga gratë dhe vajzat. Kjo lëvizje vlerësohet si një strategji e qartë për t'u adaptuar me kohën dhe për të afruar figura të reja nga shoqëria civile, ndërkohë që ruhet balanca me përfshirjen e ish-deputetëve dhe figurave historike të partisë.
I ftuar sot në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Ora News”, juristi Franc Nuri ka folur mbi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike pas Kuvendit Kombëtar të 30 majit, duke u ndalur te riorganizimi i Këshillit Kombëtar, përfaqësimi i të rinjve dhe grave në strukturat e partisë, si dhe procesi i pritshëm i zgjedhjes së Kryesisë së re.
Ai u shpreh se këto ndryshime tregojnë një përpjekje të Partisë Demokratike për t’u adaptuar dhe për të sjellë risi në funksionimin e saj, ndërsa shtoi se në javët në vijim pritet një dinamikë e re politike me zgjedhjen e Kryesisë së partisë.
"30 maj, këtë fundjavë ditën e shtunë kishte Kuvendin Kombëtar dhe është një event mjaft i rëndësishëm në jetën e Partisë Demokratike, sepse u ripërtëri organi përfaqësues më i lartë që është Këshilli Kombëtar. Dhe jam zgjedhur një nga anëtarët e Këshillit Kombëtar për herë të parë me një mandat katërvjeçar. Kështu që... dhe sikundër unë, ka pasur edhe shumë të rinj, të reja, personalitete që i janë bashkuar Partisë Demokratike këto vitet e fundit, kanë kontribuar në opozitë.
Dhe ajo që dua të them është që ka patur një ripërtëritje, domethënëse, të kompozimit, të përbërjes së Këshillit Kombëtar. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është një organ i cili me statut ka një rol shumë të rëndësishëm. Midis dy kuvendeve, pra po themi ndërmjet nga një katërvjeçar te katërvjeçari tjetër kur mbahen kuvendet e zakonshme, të gjitha vendimet e rëndësishme sa i takon Partisë Demokratike, organizimit të saj, funksionimit, vendimeve politike, i merr Këshilli Kombëtar.
Brenda subjektit politik. Dhe ka një ripërtëritje mjaft domethënëse, pothuajse 30% janë totalisht të rinj nën 30 vjeç. Ka prurje nga të rinjtë e arsimuar jashtë, ka prurje të mëdha nga, po themi, zonjat dhe nga gratë në Partinë Demokratike ku dhe aty ka patur ndryshime, risi, emra të rinj që kanë ardhur.
Nga Rinia po ashtu, si nga Forumi Rinor, si nga departamenti Brain Gain, por edhe jashtë këtyre strukturave kanë ardhur të rinj të cilët fatmirësisht janë zgjedhur, pra kanë arritur të marrin numrin e votave të mjaftueshme nga delegatët nga e gjithë Shqipëria që të zgjidhen. Dhe po ashtu, një pjesë e delegatëve, pra po themi një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar janë zgjedhur nga radhët e ish-deputetëve apo dhe personaliteteve ndër vite të Partisë Demokratike, të opozitës në tërësi. Kështu që unë e shoh me një aspekt mjaft pozitiv për faktin se ka një ripërtëritje.
Ka një ripërtëritje, ka një vullnet për të ndryshuar, për të thirrur të rinj. E padyshim që kjo sikundër dhe ju e thatë dhe e cekët pak në fillim të kësaj interviste do të përkthehet, dhe unë jam i bindur do të përkthehet, edhe me një përfaqësim dinjitoz po ashtu në nivelin e drejtimit politik të partisë sa i takon kryesisë së Partisë Demokratike, sepse organi që zgjidhet nga Këshilli Kombëtar në ditët dhe javët që do të vijnë do të jetë Kryesia e partisë".
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

