“Flenë me sy hapur nga frika e vdekjes”/ Balliu zbardh skandalin e tmerrshëm me pallatin e Armando Lilos

Deputeti i Partisë Demokrati, Klevis Balliu, pasi doli nga ambientet e Gjykatës së Posaccme ku u zhvillua një seance gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura,, denoncoi situatën dramatike dhe alarmante me banorët e pallatit që u shkrumbua pak javë më parë i ndërtuar nga biznesmeni Armando Lilo, të cilët po përjetojnë një terror të vërtetë psikologjik çdo natë.

Balliu tha se pas zjarrit që shkrumboi gjysmën e godinës, qytetarët që jetojnë në pjesën e mbetur flenë me sy hapur nga frika se e njëjta tragjedi mund të përsëritet, pasi ndërtesa përbëhet nga të njëjtat materiale lehtësisht të ndezshme.

Sipas Balliut, banorët janë lënë në harresë totale nga shteti dhe institucionet. Ndërkohë që vëmendja mediatike për ngjarjen ka rënë, qeveria dhe bashkia kanë zgjedhur të heshtin. Fati i familjeve që mbetën pa shtëpi mbetet një mister, pasi askush nuk e di nëse atyre po u mbulohet qiraja apo nëse i është ofruar strehim.

Nga ana tjetër, apartamentet e blera me 2500 euro për metër katror kanë humbur tërësisht vlerën e tyre në treg, duke shkatërruar mundin dhe kursimet e një jete të qytetarëve.

Në vend që t'i jepet një zgjidhje kësaj situate emergjente, theksohet se personat përgjegjës po merren me sulme drejtuar atyre që e kanë denoncuar këtë skandal.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e transparencës në seancat gjyqësore ku përfshihen politikanë dhe persona me pushtet, të cilat refuzohen të mbahen të hapura për publikun.

Po ashtu, Balliu ngriti shqetësimin e një standardi të dyfishtë ulëritës të drejtësisë në vend. Ndërsa oligarkëve u legalizohen pa problem deri në shtatë kate pa leje në mes të kryeqytetit, qytetarëve të thjeshtë që paguajnë taksa prej dekadash u mohohet legalizimi dhe u rrafshohen shtëpitë pa asnjë kompensim sa herë që hartohen projekte të reja korruptive.