Hollywood nderon 100-vjetorin e Marilyn Monroe: Ekspozita, filma dhe homazhe për ikonën e ekranit

Hollywood-i ka nisur një sërë aktivitetesh speciale për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së Marilyn Monroe, një prej ikonave më të mëdha të epokës së artë të kinemasë.

Në Grauman’s Chinese Theatre, ku gjurmët e duarve të saj janë të gdhendura përgjithmonë, admiruesit e aktores organizuan homazhe simbolike, përfshirë këngën “Happy Birthday” dhe vendosjen e 100 trëndafilave në nder të saj.

Aktivitetet përkujtimore përfshijnë edhe hapjen e ekspozitës “Marilyn Monroe: Hollywood Icon” në Academy Museum of Motion Pictures, ku janë ekspozuar qindra objekte personale dhe materiale të rralla nga karriera e saj.

Në program janë parashikuar gjithashtu shfaqje speciale të filmave të saj më të njohur, ndërsa një ankand i dedikuar do të nxjerrë në shitje rreth 200 objekte të lidhura me jetën dhe karrierën e Monroe-s.

E lindur më 1 qershor 1926 në Los Angeles, Marilyn Monroe mbetet një nga figurat më ikonike të historisë së Hollywood-it, e njohur për ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në kulturën pop dhe industrinë e filmit.