Shpresë e re kundër kancerit! Shkenca krijon ilaçin që “identifikon” qelizat kancerogjene!

Një ilaç i ri eksperimental, i përshkruar si një “pilulë inteligjente”, ka treguar rezultate premtuese në luftën kundër disa prej formave më të zakonshme të kancerit, duke arritur të zvogëlojë tumoret me të paktën 30 për qind te një numër pacientësh. Rezultatet e një studimi të hershëm klinik tregojnë se ilaçi GRWD5769 ndihmon sistemin imunitar të identifikojë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene që më parë arrinin të fshiheshin nga trajtimi.

Studimi, i zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Spanjë dhe Australi, përfshiu 83 pacientë me kancer të qafës së mitrës, fshikëzës urinare, mëlçisë, zorrës së trashë, mushkërive si dhe kancer të kokës dhe qafës. Të gjithë pjesëmarrësit kishin provuar trajtime të mëparshme pa sukses dhe shumica nuk kishin më alternativa të tjera terapeutike.

Pacientëve iu administrua ilaçi eksperimental GRWD5769 së bashku me imunoterapinë cemiplimab. Sipas studiuesve, tumoret u zvogëluan te 26 pacientë, ndërsa 15 prej tyre përjetuan tkurrje të tumorit prej të paktën 30 për qind. Ekspertët shpjegojnë se kanceri arrin të shmangë sulmet e sistemit imunitar duke manipuluar një enzimë të quajtur ERAP1. Ilaçi i ri bllokon këtë enzimë, duke hequr atë që studiuesit e quajnë “manteli i padukshmërisë” i qelizave kancerogjene dhe duke i bërë ato të dukshme për qelizat T, të cilat janë përgjegjëse për luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve.

Rezultatet u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike, konferencës më të madhe në botë kushtuar kancerit, e mbajtur në Chicago. Ilaçi tregoi efekt në të gjashtë llojet e kancerit të përfshira në studim. Përparimi i sëmundjes u ndal për të paktën gjashtë muaj te 18 për qind e pacientëve me kancer të qafës së mitrës, 32 për qind e atyre me kancer të mëlçisë, 36 për qind e pacientëve me kancer të fshikëzës urinare, 38 për qind e atyre me kancer të kokës dhe qafës, si dhe më shumë se gjysma e pacientëve me kancer të zorrës së trashë dhe mushkërive.