Teoria 3P-ve që po ndryshon mënyrën si i shohim takimet e para!

Takimi i parë mund të jetë emocionues, por shpesh shoqërohet edhe me ankth, pritshmëri dhe pyetje të pafundme. A do të ketë kimi? A do të ketë një takim të dytë? A kam lënë përshtypjen e duhur? Në epokën e aplikacioneve të njohjeve, ku gjithçka duket se gjykohet brenda pak minutash, shumë njerëz e përjetojnë procesin e njohjes si një sfidë stresuese.

Pikërisht për këtë arsye po fiton popullaritet teoria 3P, një qasje që synon ta bëjë takimin e parë më të lehtë dhe më pak të ngarkuar emocionalisht. E krijuar nga Serena Kerrigan, teoria sugjeron se çdo takim, pavarësisht rezultatit, mund të përfundojë vetëm në një nga tre mënyrat pozitive: Potencial, Komplot ose Praktikë.

Ideja pas kësaj teorie është e thjeshtë, nuk ekzistojnë takime të dështuara. Çdo eksperiencë ka vlerën e saj dhe mund të na ofrojë diçka të dobishme, qoftë një lidhje e re, një histori interesante apo një mësim për veten.

P-ja e parë, Potenciali, lidhet me ato takime ku biseda rrjedh natyrshëm, ka interes të ndërsjellë dhe ndihet një lloj kimie mes dy njerëzve. Në këto raste nuk ka nevojë të mendosh menjëherë për një marrëdhënie serioze apo për të ardhmen. Mjafton të pranosh se ekziston mundësia për ta njohur më tej personin tjetër.

P-ja e dytë është Komploti (plot twist). Jo çdo takim shkon sipas planit dhe kjo është krejt normale. Ndonjëherë mund të jetë i sikletshëm, i mërzitshëm ose thjesht i çuditshëm. Por sipas teorisë 3P, edhe këto takime kanë vlerë. Ato kthehen në histori që një ditë do t’ua tregoni miqve tuaj dhe ndoshta do të qeshni me to. Në fund të fundit, jo çdo njohje duhet të përfundojë në romancë.

P-ja e tretë dhe ndoshta më e rëndësishmja është Praktika. Çdo takim na mëson diçka për veten. Na ndihmon të kuptojmë çfarë kërkojmë te një partner, cilat janë kufijtë tanë dhe çfarë na bën të ndihemi rehat apo jo. Edhe kur nuk ka një takim të dytë, përvoja mbetet e vlefshme sepse na ndihmon të njohim më mirë veten.

Ekspertët thonë se një nga mënyrat më të mira për ta zbatuar këtë teori është të ndryshojmë pritshmëritë tona. Në vend që të shkojmë në një takim me synimin për të gjetur patjetër partnerin ideal, mund ta shohim atë si një mundësi për të kaluar mirë dhe për të mësuar diçka të re.

Fundja, teoria 3P na kujton se njohjet nuk janë një test që duhet kaluar me sukses. Janë thjesht përvoja që na ndihmojnë të rritemi, të kuptojmë më mirë veten dhe, ndonjëherë, të takojmë personin e duhur pikërisht kur nuk e presim.