Atmosferë festive në Tiranë në prag të 1 Qershorit
Kryeqyteti është përfshirë nga atmosfera festive në prag të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Sheshet, rrugët kryesore dhe hapësirat publike në Tiranë janë dekoruar me elemente shumëngjyrëshe, balona, instalacione artistike dhe kënde argëtimi të dedikuara për më të vegjlit.
Bashkia e Tiranës ka njoftuar organizimin e aktiviteteve të shumta në zona të ndryshme të qytetit, me lojëra, pikturë, shfaqje artistike dhe surpriza për fëmijët.
Dekorimet synojnë të krijojnë një atmosferë festive dhe mikpritëse për familjet, ndërsa sheshet kryesore do të shndërrohen në hapësira argëtimi ku fëmijët mund të marrin pjesë në aktivitete edukative dhe krijuese.
Gjithashtu fushat e disa shkollave të Tiranës do të transformohen në hapësira argëtimi dhe aktivitetesh për fëmijët e lagjes
Ndërsa sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet në qytetin e fëmijëve, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.
Festimet e këtij viti pritet të tërheqin mijëra fëmijë dhe prindër, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të mbushur me ngjyra, buzëqeshje dhe aktivitete festive gjatë gjithë ditës.

