Qershori 'ndez' kinemanë/ 10 filmat më të shumëpritur nga “Masters of the Universe” te “Toy Story 5” dhe Supergirl

Qershori sjell në kinema dhe në platformat online një seri filmash të shumëpritur, nga fantashkenca dhe animacioni, te komeditë romantike dhe filmat aksion. Më poshtë janë 10 titujt më të rëndësishëm që pritet të tërheqin vëmendjen e publikut këtë muaj.

Në krye të listës është “Masters of the Universe”, rikthimi i famshëm i He-Man në version live-action. Nicholas Galitzine interpreton heroin legjendar, ndërsa Idris Elba dhe Jared Leto plotësojnë kastin. Filmi publikohet në fillim të qershorit dhe premton një aventurë të madhe fantastiko-shkencore.

Edhe françiza komike “Scary Movie” rikthehet me pjesën e gjashtë. Anna Faris dhe Regina Hall janë sërish pjesë e kastit, ndërsa filmi do të parodizojë sukseset më të fundit të zhanrit horror.

Në Netflix publikohet “Office Romance”, një komedi romantike me Jennifer Lopez dhe Brett Goldstein. Historia ndjek lidhjen e fshehtë mes një drejtueseje kompanie dhe një avokati korporate, që rrezikon karrierën e tyre.

Ndër filmat më të komentuar është edhe “Disclosure Day”, projekti i ri i Steven Spielberg. Filmi trajton kontaktin sekret mes njerëzimit dhe alienëve, me një kast të njohur ku përfshihen Emily Blunt dhe Colin Firth.

Fansat e animacionit do të rikthehen te personazhet e dashur me “Toy Story 5”. Woody, Buzz Lightyear dhe miqtë e tyre përballen këtë herë me sfidën e teknologjisë moderne dhe tabletëve që po zëvendësojnë lodrat tradicionale.

Një tjetër rikthim interesant është “The Death of Robin Hood”. Hugh Jackman sjell një version më të errët dhe realist të heroit legjendar, larg figurës klasike që publiku njeh.

Në kinematë amerikane publikohet edhe “Maddie’s Secret”, një dramë me elemente komedie që trajton jetën e një influencueseje të rrjeteve sociale dhe betejën e saj me buliminë.

Universi i ri DC vazhdon me “Supergirl”. Milly Alcock interpreton heroinën e njohur në një version më rebel dhe anti-heroik, ndërsa Jason Momoa shfaqet si gjuetari i shpërblimeve Lobo.

Ndërkohë, grupi i famshëm i akrobacive rikthehet me “Jackass: Best and Last”. Johnny Knoxville dhe ekipi i tij premtojnë aventura ekstreme dhe humor të çmendur, në atë që pritet të jetë filmi i fundit i serisë.

Listën e mbyll “The Invite”, një komedi me Penélope Cruz, Edward Norton, Seth Rogen dhe Olivia Wilde. Filmi trajton marrëdhëniet moderne dhe tundimet në çift, me humor dhe situata të papritura.

Qershori pritet të jetë një muaj i pasur për adhuruesit e kinemasë, me filma për çdo shije, nga aventurat fantastike te komeditë romantike dhe dramat emocionuese.