“Amantia Fest” promovon vlerat historike, kulture dhe turistike të Selenicës
Parku Arkeologjik mbi dymijëvjeçar i Amantias është gjallëruar këtë fundjavë nga evente të ndryshme për promovimin e vlerave historike, kulture dhe turistike të kësaj zone.
Aktiviteti i përvitshëm “Amantia Festë” organizuar nga Bashkia Selenicë dhe që mblodhi qytetarë, vizitorë dhe artistë, u zhvilluan aktivitete kulturore dhe sportive, që nga interpretimi i këngëve polifonike, lojërat popullore deri te gatimet tradicionale.
Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, u shpreh se “Amantia Fest” është tashmë një traditë që zhvillohet çdo vit në fundjavën e fundit të muajit maj, duke mbledhur qytetarë, vizitorë dhe dashamirës të historisë e kulturës në një prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike të vendit.
Bellaj tha se, Amantia është një aset i çmuar historik dhe kulturor që nuk përfaqëson vetëm Selenicën, por mbarë Shqipërinë, për shkak të historisë së pasur dhe vlerave të jashtëzakonshme që mbart.

Ai theksoi se promovimi i vazhdueshëm i këtij siti arkeologjik është një ogur i mirë për zhvillimin e turizmit kulturor, veçanërisht në një kohë kur Amantia po shndërrohet në një nga destinacionet më të kërkuara dhe më të vizituara nga turistët e huaj.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili, e pranishme në “Amantia Fest”, u shpreh se aktivitete të tilla shërbejnë për promovimin e zonave me vlera kulturore, arkeologjike dhe historike, si dhe për ruajtjen e traditës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

“Është e vërtetë se përpara një historie dymijëvjeçare siç është Amantia, çdo lloj pozicioni duket i vogël dhe i parëndësishëm, por nga ana tjetër janë shumë politika në mbështetje të Selenicës, të qyteteve, të fshatrave të Shqipërisë që bëjnë të mundur edhe organizimin e aktiviteteve të tilla, dhe organizimin e të tjera eventeve, për të tërhequr sa më shumë vizitorë e turistë, por edhe për të ndikuar në zhvillimin e zonës nëpërmjet bujtinave, fermave, agroturizmeve.
Ka vetëm një mënyrë që shqiptarët të qëndrojnë të fortë sikurse këto male, vetëm duke qëndruar të bashkuar, mbështetës me njëri-tjetrin dhe duke parë përtej ditës së sotme”, tha Ismaili.
Gjallërimi i jetës kulturore dhe sociale në zonat e trashëgimisë kulturore dhe historike përbën mënyrën më të mirë për promovimin e tyre./ATSH/

