Kur hapat ndalojnë, është shpirti ai që prin në udhën e mosdorëzimit
Noemi Prada e stolis cakun e cënueshmërisë me solemnitetin e një shpirti që sheh thellë kuptimin e qëndresës së frymimit që pipëtin nënzëshëm, për të dëshmuar jetën, trajtën më të etershme të njerëzores, atë që mbeti kyçur në hapin që mbeti i kryqëzuar diku në hapësirën e ndalimit për të shkuar më tej.
Karrigia me rrota shpesh shihet si simbol i kufizimit, të së pamundshmes që ngulmon te ecja me krahë të flakërimtë mosdorëzimi.
Megjithatë, ndoshta burgu i vërtetë nuk është fizik, është epja në një udhë ku hapat ngurtësohen në dhimbje.
Kjo seri përjetësimi imazhi lindi pas një mesazhi të lënë nga një prej ndjekësve të mi, shkruan syri që sheh përtej vërshimit ku kridhet bota, një burrë që jeton me një dëmtim të palcës kurrizore dhe përdor karrige me rrota.

Ai më kërkoi me shumë mirësjellje të krijoja imazhe që lidhen me përdoruesit e karrigeve me rrota, jo imazhe keqardhjeje, por çaste që mund të jenë frymëzuese, njerëzore, emocionale dhe dinjitoze.
Kjo seri eksploron kufirin e brishtë mes lirisë dhe robërisë, lëvizjes dhe palëvizshmërisë, dinjitetit dhe cenueshmërisë.
Përmes imazheve humaniste, kjo seri ngre pyetje të pakëndshme, por të domosdoshme: Çfarë do të thotë të lëvizësh lirshëm? Çfarë do të thotë të ndihesh i burgosur brenda trupit tënd? Dhe sa njerëz, edhe ata që ecin normalisht, janë tashmë të burgosur në mënyra të padukshme?

Karrigia me rrota shfaqet këtu jo vetëm si objekt, por edhe si metaforë, si e epërmja mosepje për të ndaluar, duke besuar se, po, ka jetë edhe përtej.
Këto imazhe nuk flasin për mëshirë. Ato flasin për njerëzoren.
Ka dinjitet brenda brishtësisë që ngrihen në lartësinë e shpirtit dhe guxojnë të ndeshen në betejat e mosdorëzimit. Ka bukuri brenda qëndresës, të hirshme si vetë brishtësia e jetës që i vë zjarrin dëshirimeve. Ka liri që mbijeton edhe kur trupi nuk mund të lëvizë, sepse është sublimja që triumfon.
Disa burgje janë prej çeliku. Të tjera janë prej frike, vetmie, traume, kujtese, sëmundjeje, rutine, hipokrizie apo dëshpërimi.

Disa njerëz e kalojnë tërë jetën në këmbë, ndërsa emocionalisht nuk janë në gjendje të lëvizin aspak.
Ndoshta liria e vërtetë nuk ka qenë kurrë tërësisht e varur nga trupi.
Kjo seri fotosh është një homazh për njerëzit që jetojnë dhe lëvizin nëpër botë me karrige me rrota, jo të përkufizuar nga kufizimi, por nga prania, individualiteti, qëndresa, ndjeshmëria, inteligjenca, humori, butësia, ëndrrat dhe forca.
Këto imazhe synojnë të shohin përtej vetë karriges dhe të na kujtojnë se çdo qenie njerëzore mbart brenda vetes një univers të tërë, një jetë, një zë, një histori, një mënyrë të të parit dhe të ndierit të botës, që meriton të jetë e dukshme, e respektuar dhe e kremtuar.

Sepse vetëm lëvizshmëria nuk e përkufizon lirinë njerëzore. Ai është një zgjim që troket në çdo prani dhe ndeshet me të pamundurën dhe veten. Jeta është lënda që merr formën e të gjitha trajtave të shpirtit dhe në kërkim të shëmbëllimit gjen veten, ndërsa rend, rend për të përshkuar rrugën që e shpie aty ku zemra i mëkon trokitje në portat që çelen, në të nesërmen që pret.
Kur hapat ndalojnë, dëshirojmë ende, dashurojmë me më të larten ëndje për të vazhduar, për të dëshmuar lirinë që del nga burgu i të pamundurës për të kurorëzuar mbretërimin e shpirtit.
Përgatiti: Albert Vataj


