“Mund të bllokojnë vendimet e kryetarit” - Bytyçi: Në PD, vëmendja tek të rinjtë dhe gratë
Zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm në strukturat drejtuese, duke i hapur rrugë një dominimi të theksuar nga të rinjtë dhe gratë.
Në kuvendin e fundit të kësaj force politike, 60% e anëtarëve të zgjedhur në Këshillin Kombëtar i përkasin pikërisht këtyre dy kategorive.
Në analizën e tij në studion e lajmeve në “Ora News”, analisti Enver Bytyçi vlerësoi se kjo lëvizje vjen si rezultat i një strategjie disa vjeçare për promovimin e figurave të reja në media dhe në forumet rinore, duke rikthyer në vend edhe individë të shkolluar jashtë shtetit.
Megjithatë, sfida e vërtetë shkon përtej shifrave dhe statistikave. Për të arritur një rotacion real të pushtetit në Shqipëri, është thelbësore që kjo gjeneratë të dominojë me ide, programe dhe një frymë të re politike.
Enver Bytyçi: "Duke ndjekur zhvillimet në politikën në vend por edhe në Partinë Demokratike, në rastin konkret kam vënë re se në Partinë Demokratike ka pak vite që është përqendruar vëmendja tek të rinjtë.
Tek gratë ishte më e dukshme në këtë kuvend të Partisë Demokratike, por vëmendja ndaj të rinjve ka qenë prej disa vitesh.
Veprimtaritë me të rinjtë kanë qenë të vazhdueshme. Disa figura të reja janë promovuar vazhdimisht edhe në studiot televizive, por edhe në veprimtaritë e Partisë Demokratike. Disa të rinj të cilët janë shumë aktivë dhe madje kanë studiuar jashtë janë kthyer, rikthyer në Shqipëri dhe vazhdojnë të punojnë në strukturat e forumit rinor të Partisë Demokratike.
Për pasojë nuk isha i surprizuar me faktin se kuvendi i djeshëm promovoi një numër të madh të këtyre të rinjve, dhe njëkohësisht edhe të grave. 60% e të gjithë anëtarëve të zgjedhur në Këshillin Kombëtar i përbëjnë të rinjtë dhe gratë. Çka do të thotë se Partia Demokratike në pikëpamjen e përbërjes së saj në strukturën kryesore, në organin kryesor vendimmarrës në katër vitet, siç është Këshilli Kombëtar, ka bërë një ripërtëritje në kuptimin e personave.
Është e rëndësishme që personat e zgjedhur, sidomos të rinjtë, të sjellin frymën e re në Partinë Demokratike, mendimin e ri, të sjellin një lloj freskie për këtë parti, sepse nuk mjafton vetëm statura e njerëzve që përbëjnë një forum të caktuar. Nuk mjafton vetëm statistika e viteve që mban mbi kurriz secili, nuk mjafton vetëm statistika e përqindjes së grave në një parti politike. Do të duhet që patjetër fryma e rinisë dhe fryma e grave të jetë prezent dhe të dominojë madje në një parti politike. Nëse do të ndodhi kjo, ne do ta shohim në kohë të ardhshme. Nëse do të ndodhi kjo atëherë Partia Demokratike mund të krijojë frymë dhe të krijojë besim gjithashtu për ndryshimin e pushtetit, për rotacionin e këtij pushteti dhe për ardhjen sërishmi në pushtet siç ka ardhur dhe dy herë të tjera në historinë e jetës së saj.
Unë besoj se Këshilli Kombëtar është autoriteti kryesor i vendimmarrjes. Ndër të gjitha strukturat e tjera të Partisë Demokratike, ashtu si dhe në partitë e tjera.
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike mund të anulojë dhe mund të mos miratojë vendimet e kryesisë së Partisë Demokratike. Vendimet e kryetarit të Partisë Demokratike.
Dhe për pasojë, unë besoj që atyre nuk do t'i mungojë mundësia që të shfaqen me ide të reja, me koncepte të reja, me alternativa të reja, me programe të cilat mobilizojnë jo vetëm anëtarët e Partisë Demokratike, por të gjithë ata që duan të mirën e këtij vendi. Duke qenë një numër kaq i madh në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, nëse ata kanë ide, jam i sigurt që ata imponohen. Sepse në fund të fundit edhe në Partinë Demokratike si kudo, funksionon vota".
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË

