35-vjetori i PS-së në Kukës, Klosi: Krenarë për rrugëtimin dhe arritjet e Shqipërisë

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha sot se “PS po përgatitet për të korrur fitoren e radhës dhe pse jo, të treja bashkitë e qarkut Kukës në garën e ardhshme elektorale të drejtohen nga socialistët”.

Në takimin e zhvilluar në Kukës për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Klosi tha se “ky 35-vjetor nuk është një nga festat e PS-së, është një ditë jubilare e cila shënon një përpjekje të madhe të bërë nga populli shqiptar”.

“Të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kontribuojnë për të mirën e këtij vendi, por pa dyshim me forcën, guximin, lidershipin e Edi Ramës me punën e të gjithëve, ne ia dolëm që në 29 maj të këtij viti të hapnim një nga kapitujt e fundit të rrugëtimit tonë europian”, nënvizoi Klosi.

Ai u shpreh se “në këtë 35-vjetor jemi krenarë që përfaqësojmë PS, jemi krenarë të gjithë së bashku që, që nga dita e themelimit, deri në ditën e integrimit, për 35 vjet ne, socialistët, i kemi shërbyer Shqipërisë me të gjithë mundësitë tona, në çdo ditë të jetës së kësaj partie. Sakrifica jonë ka shkuar për Shqipërinë”.

Klosi vuri në dukje se “më mirë se socialistët askush nuk i ka shërbyer këtij vendi, askush nuk i ka shërbyer ndjenjës kombëtare, shqiptarisë. Të gjitha ngjarjet të mëdha të këtij vendi kanë ndodhur kur socialistët kanë drejtuar Shqipërinë”.

Askush, vijoi Klosi, më mirë se socialistët nuk ia ka dalë që në 35 vjet ta çojë Shqipërinë në majat më të larta.

“Sipas momentit që kemi jetuar gjithmonë kemi qenë për të bërë shtet, për të ndërtuar Shqipërinë, gjithmonë socialistët dhe anëtarët e kësaj partie kanë shërbyer që njerëzit të jetojnë më mirë, të kenë më mirëqenie dhe të jenë më europianë, se të gjitha forcat e tjera politike”, nënvizoi Klosi.

Klosi përcolli edhe urimet më të mira për këtë festë në emër të kryesocialistit Rama.

“Rama ia ka dalë që me lidershipin në këto vite të drejtimit të PS-së të bëjë që ne të gjithë, socialistët, jemi kthyer në një makinë fituese. Ne fitojmë çdo garë, ne përgatitemi për të fituar çdo garë në vazhdim”, tha Klosi.