PAQJA FISKALE/ Sejdarasi “zbërthen” nismën: Nuk është amnisti! Bizneset duhet të bëjnë kujdes, pasi...

Eksperti i Ekonomise, Bardh Sejdarasi, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News" diskutoi për lëvizjen e re ekonomike e qeverisë po nxit debate të forta dhe konfuzion të gjerë në tregun shqiptar. E ashtuquajtura "paqja fiskale", e cila shpesh ngatërrohet me amnistinë apo faljen e detyrimeve, po shihet nga ekspertët jo vetëm si një zgjidhje e dyshimtë e kopjuar nga Italia, por edhe si një mekanizëm me rreziqe të fshehura për bizneset.

Ky ligj u lejon bizneseve të bëjnë një marrëveshje vullnetare me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të shmangur kontrollet e vazhdueshme.

Sipas kësaj marrëveshjeje, nëse një biznes pranon të deklarojë një rritje prej 18% të fitimit, tatimi zbret në mënyrë drastike nga 15% në vetëm 5%. Megjithatë, kjo "dhuratë" vjen me një çmim të lartë: një skanim të plotë të biografisë dhe të gjithë historikut të deklarimeve të biznesit ndër vite. Ajo që e bën këtë skemë edhe më alarmante është mundësia e përdorimit të saj për pastrimin e parave.

Ekziston frika se kompanitë mund ta shfrytëzojnë këtë dritare për të ligjëruar para të pista të futura gjatë viteve të kaluara, duke i deklaruar tashmë si pjesë të fitimit të tyre të pastër. Agjencia e Inteligjencës Financiare (ish-Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave) është bërë pjesë e këtij procesi pikërisht për të ngritur filtra kontrolli që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë kalimin e këtij pragu abuziv.

Bardh Sejdarasi: "Më lejo të ta shpjegoj me pak fjalë sepse edhe kohën e kemi të kufizuar, për shkak se ka një kakofoni të madhe që lidhet pikërisht me dy ligje që kanë kaluar në të njëjtën kohë dhe kanë marrë një emër që quhet paqja fiskale. Nuk është paqja fiskale. Ligji i parë është ligji i faljes, pagimit apo fshirjes së detyrimeve. Pra ky është ligji i parë. Ligji i dytë është marrëveshja për paqen fiskale. Kjo është e vërtetë.

Marrëveshja e paqes fiskale ka një klauzolë. Klauzola është që është një marrëveshje vullnetare. Çdokush nga bizneset që ka dëshirë të mos i ketë në derën e biznesit të vet ata tatimorët, po them unë, që vijnë të marrin taksat, mund t'i kërkojë një marrëveshje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe thotë: "Deri në vitin 2025, unë e kam patur fitimin kaq dhe ti më ke tatuar 15% mbi këtë fitim".

Pra tatim fitimi. Unë deklaroj që në vitin 2026, sepse është nga data 1 deri në datën 31, marrëveshja është njëvjeçare dhe ka të drejtë të shtyhet dy vjet. Pra është njëlloj si Italia, sepse e kemi kopjuar motamo nga Italia. Ti i thua që mos më hajde të më kontrollosh, po unë po të deklaroj që tatim fitimi, fitimi im është kaq, dhe qeveria të thotë nëse ti e shton dhe 18%, nuk paguan 15, po do paguash 5%. Kjo është një çështje që bizneset duhet ta kenë shumë kujdes dhe duhet të jenë shumë të qartë me veten në momentin që do shkojnë ta bëjnë këtë marrëveshje fiskale me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, sepse në momentin që ti do të bësh këtë marrëveshje, do të kontrollohet e gjithë biografia, i gjithë historiku që ke patur për sa i përket deklarimeve. Këtu ka disa klauzola që me thënë të drejtën e kanë nxitur dhe debatin publik dhe juristët e të drejtës që janë të qartë në këtë çështje, që lidhen veçanërisht me pastrimin e parave po themi si një element.

Pra, që kompanitë mund të deklarojnë që fitimi që kam patur dhe paratë që kam futur, para të pista po i quaj me emrin e plotë të tyre, që i kanë futur në vitet e kaluara, tani mund t'i deklarojnë si para të pastra, pra si pjesë e fitimit të tyre. Po ligjin po ta shikosh në vetvete ka klauzola të pamundura që ta kalosh këtë prag.

Aq më tepër që edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, që është ish-Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, është pjesë e këtij ligji, është pjesë e këtyre strukturave dhe e kontrollit që bëhet në këtë rast. Kështu që unë e di që në fakt duhet të dilte për 15 ditë udhëzimi i Ministrisë së Financave, ka dalë për katër muaj. Dhe nuk e di nëse do kenë mundësi bizneset që ta aplikojnë te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me qëllim që të përfitojnë këtë marrëveshjen, e cila siç e thashë është tmerrësisht specifike.

Duhet ta shohin me shumë vëmendje. Unë e kam parë, e kam lexuar disa herë, secilat janë klauzolat që duhet të kenë parasysh bizneset në momentin që deklarojnë. Po, fitimi im është kaq, nëse më shton edhe 18% të fitimit në vitin që vjen, unë nuk të paguaj 15 por të paguaj 5. Dhe kjo pastaj përsëritet dhe vitin tjetër, nëse dëshiron se është tre vjet." -theksoi ai.

NDIQNI DISKUTIMIN E PLOTË NË “ORA NEWS”