Paketa e Maleve, shpallen zonat me përparësi zhvillimi në Gjirokastër dhe Fier
Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e disa zonave në bashkitë Gjirokastër dhe Fier si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”.
Vendimi synon të nxisë zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik në këto territore, përmes krijimit të kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Në bashkinë e Gjirokastrës janë shpallur nëntë zona prioritare, që përfshijnë fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Asim Zeneli, Golem, Kolonjë, Krinë, Tranoshisht, Erind, Nokovë, Mingul dhe Shtëpëz, me një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 1500 hektarësh.
Ndërsa në bashkinë e Fierit janë shpallur tetë zona prioritare, të shtrira në njësitë administrative Libofshë, Cakran, Dërmenas, Frakull, Levan, Mbrostar Ura, Portëz dhe Qendër, me një sipërfaqe totale prej mbi 16 mijë hektarësh.
Sipas vendimit të qeverisë, në këto zona do të mbështeten aktivitete që lidhen me zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik, me synimin për të rritur potencialin e territorit dhe për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi për komunitetet vendore.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si edhe bashkitë Gjirokastër dhe Fier.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

