BSH: Depozitat bankare arritën në 1,5 trilionë lekë në fund të prillit

Depozitat në sistemin bankar vijuan të ruajnë ecuri pozitive edhe gjatë muajit prill, duke mbetur në nivele të larta dhe duke reflektuar qëndrueshmëri financiare në ekonomi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill totali i depozitave arriti në rreth 1,5 trilionë lekë.

Krahasuar me muajin mars 2026, depozitat shënuan një rritje të lehtë prej rreth 0,5%. Rritja u ndikua kryesisht nga shtimi i depozitave në monedhën vendase, të cilat u rritën me rreth 10 miliardë lekë gjatë muajit.

Ndërkohë, depozitat në valutë të huaj, si euro dhe dollarë, regjistruan një rënie të lehtë me rreth 2 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se niveli i depozitave mbetet i lartë, duke u konsideruar një tregues pozitiv për stabilitetin e sistemit bankar.