POLITIKA NË KRIZË BESIMI/ Gaba: Qytetarët po braktisin masivisht partitë tradicionale, po rriten “të vegjlit”
Analisti Gentian Gaba i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se politika në nivel global po kalon një krizë të thellë identiteti, e shoqëruar me një tkurrje drastike të besimit të qytetarëve.
Fenomeni i distancimit masiv nga proceset politike nuk është i rastësishëm, por vjen si pasojë e një zhgënjimi të grumbulluar nga premtimet e pa mbajtura dhe burokratizimi i sistemeve qeverisëse.
Kjo krizë është veçanërisht e dukshme në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku partitë tradicionale po përballen me një rënie të lirë.
Gaba u shpreh se një nga shkaqet kryesore të këtij dekurajimi qytetar lidhet me faktin se forcat politike klasike janë bërë gjithnjë e më të ngjashme me njëra-tjetrën.
Në përpjekje për të përmbushur kushtet e rrepta të BE-së, si në politikat e jashtme ashtu edhe në ato buxhetore, partitë tradicionale kanë humbur profilin e tyre unik.
Nga ana tjetër, fushatat e mbushura me retorikë të bukur përplasen shpesh me realitetin e hidhur të qeverisjes, ku zbatimi i premtimeve vështirësohet ose dështon plotësisht. Qytetarët u japin besim këtyre forcave për një ose dy mandate, por kur nuk shohin vepra konkrete, zgjedhin të tërhiqen dhe të pasivizohen.
Kjo zbrazëti e lënë nga partitë e vjetra ka krijuar një terren pjellor për forca të reja politike, të cilat ushqehen pikërisht duke kapitalizuar mbi mosbesimin publik. Duke u investuar drejtpërdrejt te kjo mungesë shprese, këto rryma të reja po arrijnë të skartojnë politikën tradicionale, duke e kthyer dekurajimin e votuesve në një armë për të fituar terren.
Situata aktuale tregon se sistemi demokratik tradicional ka nevojë urgjente për t'u ringritur me prova reale besimi, përpara se apatia politike të kthehet në një standard të pakthyeshëm.
NDIQNI DISKUTIMIN E PLOTË NË “ORA NEWS”

