Kapllani: ADS, partner teknologjik i institucioneve publike me ekip elitar ekspertësh

Administratori i shoqërisë “Albanian Digital Solution”, Saimir Kapllani deklaroi sot se “Digital Solution është një shoqëri e re e krijuar për të mbështetur një nga prioritetet më të rëndësishme të vendit, transformimin digjital të shtetit shqiptar”.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e prezantimit të kësaj shoqërie ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Kapllani tha se “ADS është konceptuar si kompania teknologjike InHouse, ose operatori profesional i shërbimeve teknologjike të shtetit shqiptar. Misioni ynë është që me kapacitetet tona të garantojmë sigurinë, vazhdimësinë, përmirësimin e shërbimeve digjitale të shtetit dhe të ndërtojmë ekspertizë që do të mbetet brenda institucioneve”.

“ADS do të jetë partneri teknologjik i besueshëm i institucioneve publike duke marrë përsipër në mënyrë progresive dhe të mirëplanifikuar, mbështetjen dhe menaxhimin e sistemeve që kanë nevojë për kapacitete të dedikuara. Roli i ADS-së nuk do të kufizohet vetëm në operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve ekzistuese, por do të shtrihet edhe në mbështetjen e institucioneve për identifikimin e nevojave, konceptimin e zgjidhjeve dhe implementimin e teknologjive të reja. Në një fazë kur inteligjenca artificiale, automatizimi dhe përdorimi strategjik i të dhënave po bëhen mjete të domosdoshme për një administratë moderne edhe më efikase, ADS synon të zhvillohet si një hap kombëtar i inovacionit dhe inteligjencës artificiale për sektorin publik, duke i kthyer këto teknologji në zgjidhje konkrete, të sigurta dhe me impakt real për institucionet dhe shërbimet publike”, nënvizoi Kapllani.

Duke folur për risitë që do të sjellë modeli InHouse i ADS-së, Kapllani tha se “risia kryesore e këtij modeli është reduktimi i varësisë nga qasje të fragmentuara në një model më të standardizuar, më të koordinuar dhe më të qëndrueshëm për shërbimet publike. ADS nuk synon thjesht të ndërtojë sisteme, por të krijojë kapacitet të dedikuar që garanton vazhdimësinë, integrimin, sigurinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm me standarde të larta”.

Ky model, vijoi Kapllani, do të kontribuojë gjithashtu edhe në përdorimin efikas të fondeve publike përmes një qasjeje transparente dhe të qëndrueshme.

“ADS synon të ofrojë shërbim me kosto më të optimizuara për institucionet publike duke u mbështetur në kapacitetet e veta dhe duke garantuar cilësinë dhe sigurinë e tyre. Dhe më e rëndësishmja, ky model do të garantojë pavarësi operacionale dhe siguri të infrastrukturës digjitale”, tha Kapllani.

Por, shtoi Kapllani, patjetër që për ta çuar përpara këtë reformë dhe për ta bërë të qëndrueshëm nuk mjafton vetëm teknologjia.

“Nevojiten ekspertë të aftë, njerëz të përkushtuar dhe profesionistë që dinë ta përkthejnë teknologjinë në zgjidhje dhe në shërbim real për qytetarët. ADS do të ndërtohet mbi ekspertizë, profesionalizëm dhe meritokraci. Ambicia jonë është të krijojmë një ekip elitar ekspertësh të teknologjisë, ku profesionistët më të mirë brenda vendit dhe në diasporë të mund të kontribuojnë në projekte digjitale me rëndësi publike. Për këtë arsye ADS do të ketë një qasje moderne ndaj rekrutimit, zhvillimit profesional dhe shpërblimit, me fokus tek aftësia, integriteti dhe performanca”, tha Kapllani.

Ai vuri në dukje se qëllimi është që ADS të ofrojë një mjedis profesional konkurrues, motivues, duke përfshirë paga konkurruese dhe fleksibilitet, me qëllimin që talenti të ketë arsye të qëndrojë, të rikthehet dhe të kontribuojë në Shqipëri.

“Ne duam që inxhinierët, ekspertët, arkitektët e sistemeve ta shohin ADS-në jo vetëm si një vend pune, por si një mision kombëtar dhe një mundësi për të ndërtuar zgjidhje digjitale për Shqipërinë”, tha Kapllani.

Administratori i ADS tha se “profesionalizmi, transparenca dhe llogaridhënia do të jenë parimet mbi të cilat ADS do të ndërtojë punën e vet. Ky është misioni me të cilën ADS fillon punën sot: të ndërtojmë kapacitete të qëndrueshme teknologjike për shtetin, ekonominë dhe të ardhmen digjitale të Shqipërisë”.