VIDEO/ Skema Kombëtare mbështet bletarët, financim 50% për parqet me mbi 150 zgjoje
Bletarët në të gjithë vendin do të përfitojnë mbështetje financiare nga Skema Kombëtare 2026 për mbarështimin e bletarisë, me synim lehtësimin e kostove të prodhimit, rritjen e numrit të zgjojeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori të rëndësishëm për bujqësinë shqiptare.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur sot se këtë vit mbështetja financiare nis për fermat me të paktën 25 zgjoje.
Sipas kritereve të publikuara, vlera e financimit do të jetë dy mijë lekë për zgjua për parqet e bletëve me 25 deri në 150 zgjoje, ndërsa për numrin mbi tavanin prej 150 zgjojesh mbështetja do të jetë në masën 50%.
Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, financimi do të mbulohet në masën 100%, duke synuar nxitjen e organizimit dhe bashkëpunimit mes fermerëve në këtë sektor.
AZHBR i bën thirrje bletarëve të interesuar të konsultojnë udhëzimin e publikuar në faqen zyrtare për të njohur kriteret dhe procedurat e aplikimit.
“Për asistencë gjatë aplikimit, fermerët mund t’u drejtohen Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, si dhe të kontaktojnë përmes numrit të gjelbër 0800 83 83 apo adresës elektronike [email protected]”, njofton AZHBR.

