Rritet prodhimi, ulet çmimi/ Tregu i shumicës në Lushnjë “fundos” fermerët
Tregu i shumicës së fruta-perimeve në Lushnjë, që konsiderohet si zemra e furnizimit për gjithë vendin, po përjeton luhatje të forta çmimesh në prag të sezonit veror.
Rritja e prodhimit vendas dhe temperaturat e larta kanë sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve për shumë produkte bujqësore, duke favorizuar konsumatorët, por duke rënduar fermerët që po shesin nën pritshmëri.
Sipas vëzhgimeve në terren, domatja dhe sallatori po tregtohen me vetëm 30 lekë për kilogram në shumicë, ndërsa qepa shitet me 40 lekë/kg dhe patatja me 50 lekë/kg. Edhe speci i stinës ka pësuar rënie të lehtë, duke arritur në 60 lekë/kg.
Në tregun e frutave, nektarinat po shiten nga 50 deri në 60 lekë/kg, ndërsa shalqiri, që ka nisur të dalë masivisht nga zonat e ngrohta, tregtohet me 70 lekë/kg.
Ndërkohë, limoni mbetet produkti me rritjen më të fortë të çmimit, duke arritur deri në 150 lekë për kilogram.
Tregtarët presin që me shtimin e mëtejshëm të prodhimit vendas gjatë javëve në vijim, çmimet të pësojnë ulje të tjera, duke rritur konkurrencën në treg, por edhe presionin mbi fermerët.
