“ADS, REVOLUCION I RI DIGJITAL”/ Kryeministri Rama prezanton kompaninë digjitale shtetërore

Kryeministri Edi Rama prezantoi “Albanian Digital Solution”, një kompani shtetërore që synon modernizimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e sistemeve digjitale në Shqipëri. Ai deklaroi se krijimi i kësaj strukture do të ulë varësinë e shtetit nga kompanitë private në fushën e teknologjisë. Rama theksoi se ADS do të synojë të ofrojë paga konkurruese për ekspertët teksa sipas tij, projekti do të sjellë kursime për shtetin dhe rritje të kapaciteteve teknologjike.

Kryeministri Edi Rama prezantoi Albanian Digital Solution, kompaninë shtetërore që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.

Shefi i qeverisë theksoi se krijimi i kësaj kompanie do t’i japë fund varësisë së shtetit nga kompanitë private për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale.

Edi Rama: ADS do të krijojë sisteme, pa patur nevojën që shtetit t’i drejtohet privatit, por që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme në treg për krijimin e programeve.

Vuri theksin tek pagat për ekspertët që do të punojnë pranë ADS-së.

Rama: Një kompani që të ketë pagat më të larta të tregut digjital, që talenteve brenda dhe jashtë vendit t’u ofrojë mundësinë që të jenë pjesë e saj.

Paralajmëroi shndërrimin e saj në një superfuqi në treg, por me përqëndrim tek shërbimet publike.

RAMA Brenda 3 viteve ne do i kursejmë shtetit, një shumë të barabartë me shumën që shkon për mirëmbajtje. Qeveria duke marrë këtë rrugë, do të kthejë sytë e kompanive nga sektori privat. ADS do të jetë një superfuqi në treg, por e përqendruar në shërbimet publike.

U ndal edhe tek krijimi i kompanisë Guna, e cila merret me prodhimin e uniformave të policisë, ushtrisë a zjarrfikëses.

Rama: Sot ne kemi këtë kompani të përbashkët që do prodhojë uniforma për ne, ushtrinë, zjarrfikësit, Policinë e Shtetit, madje edhe për ushtritë e tjera të NATO-s.

Shefi i ekzekutivit theksoi edhe nevojën e vendosmërinë për mbështetjen e start up-eve, një formë kjo për të ndihmuar të rinjtë për të ecur para në Shqipëri, pa qenë nevoja për të dalë jashtë vendit.