OBSH ngre alarmin në Kongo/ Kërkohet armëpushim urgjent për të ndalur përhapjen e Ebolës

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka kërkuar një armëpushim në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, në përpjekje për të frenuar përhapjen e Ebolës në zonat e prekura nga konflikti.

Sipas tij, luftimet po detyrojnë banorët të zhvendosen në mënyrë masive, duke krijuar kushte të vështira në kampet e mbipopulluara dhe duke e bërë më të lehtë përhapjen e sëmundjes.

OBSH ka bërë të ditur se lloji i Ebolës që po qarkullon në rajon nuk ka ende vaksinë apo trajtim të miratuar, ndërsa numri i rasteve po rritet. Sëmundja është shpallur më herët si emergjencë ndërkombëtare.

Autoritetet shëndetësore raportojnë mbi 900 raste të dyshuara dhe më shumë se 200 viktima në disa provinca lindore të vendit, përfshirë zona të kontrolluara nga grupe të armatosura.

Organizata humanitare Save the Children ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e viktimave janë fëmijë dhe ka bërë thirrje për masa më të forta për të ndalur përhapjen e infeksionit dhe për të lehtësuar qasjen e ndihmës në terren.