Zelensky i dërgon letër urgjente Trumpit: Ukraina po mbetet pa mbrojtje ajrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump dhe disa zyrtarëve të lartë në SHBA, ku ngre shqetësimin për mungesë të madhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.
Sipas mediave ndërkombëtare, në letër thuhet se vendi po përballet me sulme të vazhdueshme nga Rusia dhe se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën, veçanërisht nga raketat balistike.
Zelensky ka bërë të ditur se rezervat e raketave interceptuese për sistemet “Patriot” dhe pajisje të tjera mbrojtëse po pakësohen shpejt, gjë që e vështirëson ndalimin e sulmeve ajrore.
Ai ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes ushtarake nga SHBA, duke vënë në dukje se një pjesë e madhe e raketave ruse mund të ndalen nëse Ukraina pajiset mjaftueshëm me sisteme mbrojtëse.
Letra është shpërndarë edhe në Kongresin amerikan, me qëllim që kërkesa të marrë përgjigje sa më të shpejtë nga Uashingtoni.

