Uashingtoni përgënjeshtron median iraniane: Memorandumi me SHBA është trillim

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë një raport të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, i cili pretendonte ekzistencën e një drafti për një memorandum mirëkuptimi mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas Uashingtonit, ky raport nuk është i saktë dhe dokumenti i përmendur nuk ekziston, duke e cilësuar atë si të pavërtetë.

Më herët, media iraniane kishte raportuar për një kornizë fillestare joformale që parashikonte disa lëvizje të ndërsjella, përfshirë lehtësimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit nga ana e Iranit dhe tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni.

Në raport thuhej gjithashtu se Irani nuk do të ndërmerrte asnjë hap pa verifikim të plotë të marrëveshjes dhe se procesi ende nuk ishte finalizuar.

Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare është vërejtur një rënie e çmimeve të naftës, të cilat kanë zbritur nën 89 dollarë për fuçi.

Sipas raportimeve, diskutimet mes palëve janë zhvilluar në mënyrë indirekte me ndërmjetësim, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së.