Urdhër i ri në Jerusalem/ Shpronësohet zona e shenjtë e Varrit të Profetit Samuel nën administrimin e Vakëfit

Autoritetet izraelite kanë lëshuar një urdhër shpronësimi për zonën që përfshin Varrin e Profetit Samuel, në veri të Jerusalemit, një vend që aktualisht menaxhohet nga Vakëfi.

Sipas mediave izraelite, urdhri prek rreth 110 dunamë tokë dhe përfshin një xhami, një zonë arkeologjike, një burim uji dhe toka bujqësore.

Autoritetet thonë se ndërhyrja bëhet për arsye zhvillimi dhe për ruajtjen e sitit arkeologjik.

Nuk dihet ende nëse Vakëfi do të vazhdojë të administrojë zonën, ndërsa deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga ana e tij.

Zona e Varrit të Profetit Samuel konsiderohet e shenjtë nga myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, dhe është gjithashtu një vend i vizituar nga shumë pelegrinë dhe turistë. Çdo vit aty zhvillohen aktivitete fetare dhe vizita të shumta.

Vendimi ka ngjallur reagime nga organizata që kundërshtojnë politikat izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat e shohin këtë hap si pjesë të zgjerimit të kontrollit mbi territoret e diskutueshme.

Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme për mënyrën se si do të zbatohet vendimi në terren.