Ish-anëtarja e RAF dënohet me 13 vite burg pas 30 vitesh në arrati/ Zbulohen detaje të grabitjeve dhe jetës së fshehtë në Berlin
Daniela Klette, ish-anëtarja e grupit ekstremist gjerman Red Army Faction, është dënuar me 13 vite burg pas më shumë se 30 vitesh në arrati.
67-vjeçarja u arrestua në Berlin në shkurt të vitit 2024, ku jetonte prej rreth dy dekadash me identitet të rremë. Ajo konsiderohej prej vitesh si një nga personat më të kërkuar në Gjermani.
Pas një procesi gjyqësor që zgjati 14 muaj, gjykata në Verden e shpalli fajtore për gjashtë grabitje të armatosura, rrëmbim për shpërblim dhe mbajtje armësh ushtarake. Sipas hetimeve, grabitjet ishin kryer mes viteve 1999 dhe 2016, shumë kohë pasi organizata RAF ishte shpërbërë.
Autoritetet gjermane dyshojnë se paratë e grabitura përdoreshin për të financuar jetën në fshehtësi të ish-anëtarëve të grupit që vazhdonin të ishin në arrati. Sipas prokurorëve, veprimet kryheshin në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar.
Në sallën e gjyqit pati tensione pas shpalljes së vendimit. Disa mbështetës të saj brohoritën në favor të Klette, ndërsa jashtë gjykatës u mbajtën protesta solidariteti.
Policia gjeti në apartamentin e saj armë, dokumente false, paruke, ar dhe rreth 240 mijë euro cash. Hetuesit dyshojnë se paratë vinin nga grabitjet e kryera gjatë viteve të arratisë.
Sipas autoriteteve, ajo bashkëpunonte me dy ish-anëtarë të tjerë të RAF-it, të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim. Treshja dyshohet se ka grabitur mbi 2 milionë euro nga automjete transporti parash dhe supermarkete në disa zona të Gjermanisë.
Klette përballet edhe me akuza të tjera që lidhen me sulme politike të viteve ’90, kur RAF ishte ende aktive. Këto çështje po trajtohen në një proces tjetër gjyqësor në Frankfurt.
Grupi RAF, i njohur edhe si banda Baader-Meinhof, ishte një organizatë ekstremiste e majtë aktive në Gjermaninë Perëndimore gjatë viteve ’70 dhe ’80. Sipas autoriteteve gjermane, grupi ishte përgjegjës për vrasjen e të paktën 30 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

