Teherani: Nuk ka marrëveshje me SHBA-në për Hormuzin, uraniumi jashtë negociatave

Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ende një marrëveshje për çështjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më strategjike detare në botë.

Deklarata është bërë nga Ali Bagheri, zëvendëssekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili tha se negociatat vazhdojnë, por ende nuk ka dakordësi.

“Derisa të biem dakord për të gjitha çështjet, konsiderojmë se nuk kemi rënë dakord për asgjë”, u shpreh ai.

Sipas tij, Irani po zhvillon bisedime edhe me Omanin për krijimin e një mekanizmi të ri për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, që është një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Bagheri shtoi se çështja e uraniumit të pasuruar nuk është pjesë e negociatave me SHBA, pavarësisht deklaratave të mëhershme nga presidenti amerikan Donald Trump.

Ai theksoi gjithashtu se bisedimet indirekte për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme po vazhdojnë, por pa një marrëveshje përfundimtare deri tani.