Frikë nga përhapja e Ebolës/ SHBA forcon kontrollet në aeroporte dhe përgatit izolimin në Kenia
Shtetet e Bashkuara po planifikojnë hapjen e një qendre karantine në Kenia për personat e dyshuar ose të infektuar me Ebola, ndërsa situata në Republikën Demokratike të Kongos vazhdon të përkeqësohet.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, qendra do të përdoret kryesisht për qytetarët amerikanë që largohen nga zonat e prekura nga virusi, me qëllim izolimin dhe monitorimin e tyre pa qenë nevoja të dërgohen menjëherë në SHBA.
Projekti është ende në pritje të miratimit nga autoritetet keniane.
Në të njëjtën kohë, SHBA ka shtuar kontrollet shëndetësore për udhëtarët që vijnë nga Republika Demokratike e Kongos, Uganda dhe Sudani i Jugut.
Ata po ridrejtohen për kontrolle të posaçme në aeroportin ndërkombëtar Dulles në Washington.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë raportuar më shumë se 900 raste të dyshuara me Ebola dhe rreth 220 viktima të dyshuara.
Ekspertët mendojnë se numri real mund të jetë më i lartë, pasi konfliktet dhe situata e vështirë në terren po pengojnë identifikimin e rasteve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se luftimet në lindje të Kongos po e bëjnë shumë të vështirë kontrollin e epidemisë. Për variantin Bundibugyo të virusit Ebola ende nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar.

