NDRYSHIME NGA DRAFT-MARRËVESHJA SHBA-IRAN/ Hormuzi drejt bashkëmenaxhimit nga Irani dhe Omani

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se Irani dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë një draft-marrëveshje që lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Sipas raportimeve, drafti parashikon që Irani dhe Omani të bashkëmenaxhojnë trafikun detar në Hormuz, ndërsa forcat ushtarake amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni dhe do të hiqej bllokada detare.

Në këmbim, Irani do të merrte përsipër që brenda një muaji të rikthente lëvizjen normale të anijeve tregtare në nivelet që ishin para konfliktit.

Marrëveshja, nëse arrihet, mund të marrë edhe mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes një rezolute detyruese brenda 60 ditëve të ardhshme.

Megjithatë, autoritetet iraniane bëjnë të ditur se dokumenti nuk është përfundimtar dhe se ende po vazhdojnë negociatat. Teherani kërkon garanci dhe verifikime konkrete përpara se të ndërmarrë ndonjë hap zyrtar.