Ditë zie në Belgjikë/ Treni përplas autobusin e shkollës, humbin jetën 4 persona

Katër persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën të martën në Belgjikë pasi një tren pasagjerësh u përplas me një autobus shkolle në zonën e Bugenhoutit, në veri të vendit.

Lajmin e konfirmoi zëvendëskryeministri i Belgjikës, Maxime Prevot, i cili e cilësoi ngjarjen si një “përplasje tragjike”.

“Në këtë aksident të rëndë kanë humbur jetën katër persona, përfshirë dy fëmijë”, shkroi ai në rrjetin social X.

Edhe kryeministri Bart De Wever reagoi pas ngjarjes, duke deklaruar se është “thellësisht i prekur nga aksidenti i tmerrshëm”, ndërsa shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Pamjet nga vendi i ngjarjes në rajonin e Flandrës treguan autobusin e përmbysur dhe të shkatërruar pranë vijës hekurudhore, ndërsa treni mbeti i ndalur mbi shina pas përplasjes.

Sipas Policisë belge, në autobus ndodheshin shtatë fëmijë, një mbikëqyrës dhe shoferi. Autoritetet konfirmuan se asnjë nga pasagjerët e trenit nuk mbeti i lënduar.

Zëdhënësi i agjencisë hekurudhore belge Infrabel, Frederic Sacre, tha se përplasja ishte “jashtëzakonisht e dhunshme", duke shtuar se treni po lëvizte me rreth 120 kilometra në orë në momentin e aksidentit.

Autobusi u hodh rreth 15 metra larg, drejt një shtylle metalike”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se barrierat e kalimit hekurudhor ishin të mbyllura dhe semafori i kuq ishte i ndezur kur ndodhi përplasja.

Sipas mediave belge, fëmijët udhëtonin nga një shkollë për nxënës me vështirësi në të nxënë.

Ngushëllime për viktimat shprehu edhe ministri i Brendshëm Bernard Quintin, ndërsa presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “me zemër të thyer” nga tragjedia.

“Sot, Evropa vajton me Belgjikën”, shkroi ajo në rrjetet sociale.