APLIKACIONET E MOTIT/ Po ndikojnë në vendimet e përditshme dhe planet e njerëzve
Në epokën digjitale, aplikacionet e motit janë kthyer në një pjesë të pandashme të përditshmërisë. Për shumë njerëz, kontrolli i temperaturës, reshjeve apo erës është veprimi i parë para se të dalin nga shtëpia. Por a po ndikojnë këto aplikacione më shumë seç duhet në mënyrën si jetojmë? Ndiqni kronikën!
Aplikacionet e motit po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si njerëzit organizojnë jetën e përditshme.
Para daljes nga shtëpia, planifikimit të një udhëtimi apo edhe një takimi të thjeshtë, shumë persona kontrollojnë temperaturat, reshjet dhe erën, duke i përshtatur vendimet e tyre sipas parashikimit të motit.
Ekspertët thonë se kjo varësi ndaj aplikacioneve po kufizon spontanitetin dhe po krijon ankth të panevojshëm.
Shumë persona ndryshojnë ose anulojnë planet vetëm nga mundësia e reshjeve, edhe kur probabiliteti i shiut është i ulët.
Sipas sondazheve në Britani, mjafton simboli i një reje me shi në ekran që njerëzit të heqin dorë nga aktivitetet në natyrë.
Psikologët shpjegojnë se aplikacionet e motit krijojnë një ndjesi të rreme kontrolli mbi të paparashikueshmen.
Eksperti britanik Trevor Harley thekson se kontakti direkt me natyrën dhe përjetimi real i motit është shumë më i shëndetshëm sesa qëndrimi përpara ekranit duke analizuar çdo ndryshim atmosferik.
Artikulli sjell edhe shqetësimin e bizneseve që organizojnë aktivitete në natyrë.
Shumë prej tyre pretendojnë se ikonat e shiut në aplikacione po ulin numrin e vizitorëve, pasi publiku shpesh keqinterpreton parashikimet dhe mendon se moti do të jetë i keq gjatë gjithë ditës.
