DORËSHKRIMI I MBRETIT ARTUR NË ANKAND/ Libri mesjetar pritet të shitet deri në dy milionë paund
Një dorëshkrim 700-vjeçar që rrëfen historitë e Mbretit Artur, Merlinit dhe Graalit të Shenjtë do të dalë në ankand në muajin korrik, me një vlerë që arrin deri në 2 milionë paund. Libri mesjetar, i dekoruar me ar dhe ilustrime të rralla, konsiderohet një nga veprat më të hershme të ciklit arturian që ekzistojnë ende në koleksione private.
Një nga dorëshkrimet më të rralla mesjetare që lidhet me legjendat e Mbretit Artur do të dalë në ankand këtë verë në Londër, me një vlerë të parashikuar deri në 2 milionë paund.
I njohur si “Dorëshkrimi Lebaudy”, libri daton mes viteve 1290 dhe 1310 dhe përmban histori të hershme mbi Mbretin Artur, magjistarin Merlin dhe kërkimin për Graalin e Shenjtë.
Vepra është zbukuruar me 126 miniatura të punuara me dorë dhe me fletë ari, çka e bën një nga dorëshkrimet më të pasura artistikisht të periudhës mesjetare.
Mes ilustrimeve më të veçanta është një skenë ku Merlini shfaqet i transformuar në një dre magjik që flet, ndërsa në një tjetër paraqiten Kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët duke u kthyer fitimtarë nga beteja.
Ekspertët e shtëpisë së ankandeve thonë se ekzistojnë vetëm tre dorëshkrime të tilla në koleksione private dhe ky konsiderohet më i hershmi dhe më i ilustruari ndër to.
Sipas studiuesve, dorëshkrimi është realizuar nga i ashtuquajturi “Mjeshtri i Apokalipsit të Lièges”, një artist anonim i njohur për stilin luksoz dhe ilustrimet e kushtueshme që prodhonte për aristokracinë mesjetare.
Libri ka kaluar në duart e disa koleksionistëve të njohur gjatë shekujve, por nuk është ekspozuar kurrë publikisht dhe as studiuar plotësisht nga akademikët.
Studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit e cilësoi ankandin si një mundësi të rrallë që dorëshkrimi të hyjë më në fund në një koleksion publik dhe të bëhet i aksesueshëm për studiuesit dhe publikun.
Sipas saj, dorëshkrimi përmban edhe variante të pazakonta të historisë së Merlinit, duke vendosur më shumë theks tek luftërat dhe legjitimiteti mbretëror i Arturit sesa tek aventurat romantike të kalorësve.
