Paralajmërimi i frikshëm i Rusisë/ Lavrov "këshillon" Rubion të zbrazë Kievin nga amerikanët
Situata mes Rusisë dhe Ukrainës po përshkallëzohet sërish, ndërsa Moska ka lëshuar paralajmërime të forta për sulme të reja ndaj Kievit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga kryeqyteti ukrainas.
Sipas autoriteteve ruse, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov zhvilloi një telefonatë me sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, ku paralajmëroi për “sulme të vazhdueshme” ndaj objektivave ushtarake dhe qendrave të vendimmarrjes në Kyiv.
Paralajmërimi vjen vetëm një ditë pas një prej sulmeve më të rënda ndaj kryeqytetit ukrainas që nga nisja e luftës në vitin 2022. Sulmet me dronë dhe raketa shkaktuan viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Në mesin e zhvillimeve më shqetësuese ishte përdorimi nga Rusia i raketës hipersonike “Oreshnik”, e aftë për të bartur koka bërthamore — hera e parë që një armë e tillë përdoret pranë Kievit.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase i hodhën poshtë akuzat ruse për sulme ndaj objektivave civile dhe e cilësuan paralajmërimin e Moskës si “shantazh të paturpshëm” që synon të përhapë panik tek diplomatët dhe organizatat ndërkombëtare.
Edhe reagimet ndërkombëtare nuk munguan. Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, deklaroi prerazi: “Ne nuk po shkojmë askund.”
Ndërsa tensionet rriten, sekretari amerikan Rubio konfirmoi se bisedimet për paqe mes Moskës dhe Kievit janë aktualisht të pezulluara.

