Vdekja e parë nga difteria që prej 2018/ Autoritetet australiane përballen me shpërthim të pazakontë të sëmundjes

Vdekja e parë nga difteria që prej 2018/ Autoritetet australiane
Australia ka regjistruar vdekjen e parë nga difteria në gati një dekadë, në një kohë kur vendi po përballet me shpërthimin më të madh të kësaj sëmundjeje që nga viti 1991.

Sipas autoriteteve shëndetësore, këtë vit janë raportuar rreth 245 raste të difterisë në disa shtete të vendit, përfshirë Territorin Verior, Australinë Perëndimore, Australinë Jugore dhe Queensland.

Shumica e rasteve janë shënuar në komunitete të largëta indigjene.

Vdekja është konfirmuar pas rezultateve të autopsisë për një burrë që ndërroi jetë në prill në Spitalin Royal Darwin. Autoritetet thanë se ky është rasti i parë fatal nga difteria në vend që nga viti 2018.

Shërbimet shëndetësore kanë rritur fushatat e vaksinimit në zonat më të prekura, duke kryer mbi 10 mijë vaksinime në muajt e fundit.

Po ashtu, po u bëhet thirrje banorëve, sidomos të rinjve dhe të rriturve, të kontrollojnë nëse i kanë bërë vaksinat përforcuese.

Autoritetet thonë se numri i rasteve të reja ka nisur të bjerë, por situata mbetet nën monitorim, ndërsa po punohet për të frenuar përhapjen e sëmundjes në zonat e prekura.