I kërkojnë 1.1 mln lekë dhe i bllokojnë pensionin, drama e gruas pasi i vdiq burri

Në Shën Vlash të Durrësit, zonja Dhurata po përballet prej dy muajsh me një situatë problematike. Ajo nuk po arrin të marrë pensionin e saj të pleqërisë.

Gjithçka nisi pas humbjes së bashkëshortit më 2 tetor 2025. Vetëm pak ditë më vonë, Dhurata tërhoqi në postë disa muaj pension të prapambetur të bashkëshortit, përfshirë edhe muajin tetor.

Sipas saj, këto ishin pagesa që i përkisnin një periudhe kur ai ishte ende në jetë, ndërsa muaji tetor më pas iu mbajt si pjesë e shpenzimeve funerale.

Megjithatë, në shkurt, ajo u njoftua nga Posta në Rrashbull se duhej të kthente 1 milionë e 100 mijë lekë të vjetra, në të kundërt nuk do të mund të tërhiqte pensionin e saj.

Që prej asaj kohe, Dhurata thotë se është paraqitur disa herë pranë sportelit, por pa rezultat, duke mbetur kështu pa të ardhurat e vetme.

Kur u kërkua një sqarim nga punonjësit e postës, ata deklaruan se pensioni nuk ishte i bllokuar dhe se qytetarja nuk ishte paraqitur për ta tërhequr. Por Dhurata tha se ka dy muaj që i refuzohet marrja e pensionit.

Në Sigurimet Shoqërore Durrës, sqarojnë se në raste të tilla, pagesat pas ndarjes nga jeta lidhen me procedurat e trashëgimisë.

Drejtoria Rajonale bëri të ditur se do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës, që Dhurata dhe familja e saj të mos përballen me penalizime të padrejta. /tvklan.al