VIDEO/ Momenti kur kreu i AKU-së Shkodër sulmohet me gur në kokë, agresori i zë pritë pranë banesës
Është siguruar videoja e momentit kur ai goditet me gur në kokë. Rreth orës 21:00, ai shfaqet duke ecur i qetë në drejtim të banesës së tij, ndërsa autori qëndron i fshehur pas një muri, duke ditur itinerarin që Haderi do të ndiqte.
Sapo i është afruar, agresori ka dalë me shpejtësi dhe e ka goditur dy herë në kokë dhe në fytyrë.
Edhe pasi viktima ka rënë në tokë, autori ka vijuar të qëndrojë pranë tij dhe dyshohet se ka tentuar ta godasë edhe një herë tjetër, para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash. Pas sulmit, Haderi është dërguar në spitalin e qytetit, ku ka marrë ndihmën mjekësore.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, kreu i AKU-së e ka lidhur sulmin me detyrën që ushtron.
“As pabesia dhe as armët tinëzare pas shpine, në mes të qytetit, nuk do të më ndalin dhe as do të më zbehin parimet e mia për të ecur drejt, lirshëm dhe me ndërgjegje të pastër”, shkruan ai mes të tjerash.
Ai shton gjithashtu se ka marrë mbështetje nga banorët e qytetit, duke e cilësuar dhunën si një ngjarje që nuk i përket as të majtës dhe as të djathtës.
Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet, duke verifikuar kamerat e sigurisë në zonë, si edhe konfliktet apo kërcënimet e mundshme që mund të lidhen me detyrën ose me rrethana të tjera.

