BURGJET PLOT ME TELEFONA E RAKI / Gaxhait të Vlorës i gjenden pije alkoolike në qeli
Drejtoria e Burgjeve ka vijuar me kontrollet në disa qeli të burgut të sigurisë së lartë, ku janë zbuluar pije alkoolike si dhe aparate celulare. Në qelinë e të dënuarit për jetë, Gazmend Braka, i njohur si Gaxhai, janë zbuluar pije alkoolike si uiski apo raki. Javët e fundit, në qelitë e të burgosurve janë gjetur 25 aparate celulare, ku disa prej tyre i janë dërguar SPAK për t’u këqyrur.
Gazmend Braka, i njohur me nofkën Gaxhai, e kishte shndërruar qelinë e tij në një bar-kafe, pasi policia e burgjeve bastisi këtë të diel dhomën e tij, ku u zbuluan pije të ndryshme alkoolike.
Kjo foto e siguruar nga Ora News tregon shishet me të cilat ishin kamufluar pijet alkoolike, si për shembull uiski ishte futur në çajin e pjeshkës, ndërsa rakia në shishet e ujit.
Kontrolli në IEVP Peqin nuk u ndal vetëm te i dënuari për jetë, por edhe në disa qeli të tjera. Ora News mëson se në dhomat e dy të dënuarve të tjerë u gjetën edhe 3 telefona, të cilët ishin në proces pune.
Për gati 1 muaj, Drejtoria e Burgjeve ka kryer kontrolle në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, përfshirë këtu edhe ato të sigurisë së lartë.
Nga kontrolli i ushtruar janë gjetur të paktën 25 aparate celularë, ku disa prej tyre i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme për zbërthim, pasi personat që i mbanin këto telefona ishin subjekte të SPAK.
Përpos telefonave, forcat operacionale kanë zbuluar televizorë, aparate të ndryshme të paligjshme, si dhe sende të tjera të improvizuara, si thika apo mjete të tjera të ngjashme.
Deri më tani, pavarësisht gjetjeve të këtyre sendeve të paligjshme, ende nga Drejtoria e Burgjeve nuk janë marrë masa ndaj personave që kanë ndihmuar futjen e tyre, por mësohet se ka nisur një hetim i thelluar për të zbuluar përgjegjësit.

