Alkool, iPhone dhe telefona të fshehur në qeli/ Kontrollet në burgun e Peqinit nxjerrin hapur sendet e ndaluara të Prel Vucaj dhe Lulëzim Demiraj

Kontrolle të tjera janë zhvilluar në burgun e Peqinit, ku gjatë verifikimeve në disa qeli janë zbuluar sërish sende të ndaluara.

Burime nga sistemi penitenciar bëjnë me dije se kontrollet janë zhvilluar në kuadër të masave për forcimin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Më herët aksione të ngjashme janë kryer edhe në burgjet e Fierit dhe Durrësit, ku po ashtu janë gjetur telefona celularë, karikues dhe sende të tjera të palejuara.

Gjatë kontrollit në Peqin, ndaj të dënuarit Prel Vucaj janë sekuestruar një telefon iPhone me ngjyrë të zezë, një karikues telefoni, dy fisha karikimi dhe një palë kufje wireless.

Ndërkohë, në qelinë e të dënuarit Lulëzim Demiraj janë gjetur dy telefona celularë, një Google Pixel dhe një Samsung, një karikues si dhe tre shishe me raki me kapacitet rreth 2 litra.

Sendet e sekuestruara janë marrë në administrim, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar strukturave përkatëse për veprimet e mëtejshme.