NDËRTIMET “DJEGIN” KREUN E IKMT VLORË/ Elton Caslli shkarkohet nga detyra pasi lejoi paligjshmërinë

Aksioni dhe prishja e një ndërtimi pa leje në zonën e Sarandës nuk është mbyllur vetëm me arrestimin e policëve, por edhe me largimin nga detyra të drejtorit të IKMT Vlorë, Elton Caslli. Ky i fundit është larguar nga detyra pasi Besfort Lamallari, bashkë me drejtorin e përgjithshëm Skënder Hita, zhvilluan takim në jug të vendit. Mësohet se në fokus të policisë janë edhe disa ndërtime të tjera që dyshohet se janë favorizuar nga punonjës policie.

Pas takimit që pati në Sarandë Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, lidhur me problematikën e ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, që çuan edhe në arrestimin e shefit të komisariatit, është larguar ndërkohë nga detyra edhe drejtori i IKMT-së së Vlorës, Elton Caslli.

Ky i fundit mësohet se ka dhënë dorëheqjen pas fillimit të procedurës për marrjen e masave administrative nga IKMT qendrore, si shkak i mosushtrimit të detyrave funksionale me pasoja në territor.

Gjithashtu, mësohet se është iniciuar procedura disiplinore edhe për përgjegjësin e Sektorit të Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale të Vlorës, Xhovalin Hoxhaj.

Burime për Ora News bëjnë me dije se aksioni i ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare do të shtrihet edhe në vende të tjera.

Deri më tani në fokus janë disa objekte, për të cilat po rishikohen procedurat e lejeve dhe mënyra e marrjes së tyre.

Krahas policisë, pjesë e hetimeve është edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka dyshime se ndërtimet pa leje në zonat turistike janë bërë nën bekimin e policisë, duke marrë ryshfete për të mos raportuar apo prishur ndërtimin.