Danimarka vlerëson punën e ILD-së/ Metani zhvillon takime me zyrtarë të lartë në Kopenhagen për sistemin e drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune dyditore në Danimarka, ku mori pjesë në disa takime me përfaqësues të institucioneve daneze dhe të Ambasadës shqiptare në Kopenhagen.

Gjatë vizitës u diskutua mbi reformën në drejtësi në Shqipëri, funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në takimin me Drejtorin për Politikat Evropiane në Ministrinë e Jashtme daneze, Jakob K. Alvi, u fol për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe standardet e shtetit të së drejtës.

Metani vlerësoi mbështetjen që Danimarka i ka dhënë reformës në drejtësi në Shqipëri dhe foli për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me përgjegjshmërinë dhe kontrollin disiplinor në sistemin gjyqësor.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi rajonal i ILD-së dhe përfshirja e institucionit në rrjetin evropian RESIJ, si dhe organizimi në Tiranë i konferencave rajonale me institucionet homologe të Ballkanit Perëndimor.

Nga pala daneze u bë e ditur gjithashtu se Danimarka pritet të rihapë ambasadën e saj në Shqipëri në muajt e ardhshëm.

Gjatë qëndrimit në Kopenhagë, delegacioni shqiptar zhvilloi takim edhe në Gjykatën Speciale për Ngritjen e Akuzës dhe Rishikimin, ku u diskutuan praktikat daneze për trajtimin e çështjeve disiplinore dhe standardet profesionale në sistemin e drejtësisë.

Takime u zhvilluan edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Danimarkë me ambasadorin Sokol Dedja, ku u fol për bashkëpunimin institucional dhe lidhjet me diasporën shqiptare në Danimarkë.

Vizita u përqendrua në shkëmbimin e përvojave mes institucioneve dhe njohjen nga afër me modelin danez të funksionimit të sistemit të drejtësisë.