Gjykata e Apelit urdhëron prokurorinë të rinisë hetimet për vr*sjen e ish-policit Arben Bilali! Nën akuzë Gjergj Cukali
Gjykata e Apelit ka urdhërur ditën e sotme prokurorinë të rinisë hetimet për vrasjen e ish-policit, Arben Bilali. I akuzuar për këtë ngjarje është Gjergj Cukali. Cukali është një emër mjaft i njohur për policinë dhe ndryshe njihet edhe si i forti i “Myslym Shyrit”. Ai është gjithashtu mik me kreun e bandës Shullazi, Emiljano Shullazin.
Arben Bilali, u vra më 30 janar në zonën e Selitës, ku jetonte me familjen e tij. Ai ndodhej në një makinë bashkë me shokun e tij gjatë kohës së lëvizjes dhe në momentin kur ka zbritur është qëlluar nga autorët që ndodheshin në një makinë Benz. Mbi të është qëlluar rreth 15 herë me breshëri.
Bilali, 50 vjeç, është i treti që ekzekutohet në harkun e 20 viteve, pasi më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Familja Bilali është prej vitesh në hasmëri me familjen Xhabafti, gjë e cila ka prodhuar disa viktima.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë
VENDOSI:
Ndryshimin e vendimit nr. - (s'ka) dt. 14.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si më poshtë: - Mospranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Kthimin e akteve për vazhdimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 1006 dt. 30.01.2019, regjistruar për veprat penale të "Vrasjes me paramendim" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake", parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/2 të K.Penal, me person nën hetim Gjergj Cukali, sipas drejtimit e veprimeve të domosdoshme hetimore të përcaktuara në pjesën arsyetuese të këtj vendimi.
- Caktimin e një afati 3/mujor për kryerjen e këtyre veprimeve, afat i cili fillon nga momenti i njoftimit të këtij vendimi.
- Një kopje e këtij vendimi t'i njoftohet Drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Ndaj këtij vendimi lejohet rekurs sipas ligjit në Gjykatën e Lartë.

