“Djalin nuk e kam më”/ Dëshmon në gjykatë Mustafa Martinaj, babai i Vis Martinaj

Në procesin ndaj pasurive të Ervis Martinaj, këtë të enjte në GJKKO ka dëshmuar Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj.

Mustafa Martinaj: “Kam dijeni për pasuritë që janë të sekuestruara. Me profesion jam ekonomist. Në kohën e komunizmit kam punuar në Laç. Kam pësuar një aksident në fund të vitit ’90. Jam operuar në Romë dhe kur jam kthyer në Shqipëri kam filluar punë si drejtor i dhomës bujqësore në rrethin Laç, Lezhë dhe Mirditë.

Pas trazirave të ’97 aktiviteti u mbyll dhe jam marrë me aktivitet privat dhe e kam nisur me një kancelari dhe fotokopje. Jam marrë më pas me këmbim valutor. Kam filluar punë më pas pranë UFT në Tiranë.

Duke parë ecurinë më është besuar rrethi i Matit dhe disa vende të tjera.

Kompania UFT ka pasur transferta të parave, me të ardhura shumë të mira, ka pasur disa aktivitete, posta e shpejtë, këmbim valutor etj.

Ervis Martinaj, djali im, ishte në vit të tretë gjimnaz në kohën kur isha në punë. Gjatë kësaj kohe më ka ecur shumë mirë puna.

Në vitin 2007 kam filluar punë si administrator në Union Bank me Laçin. Nga ky aktivitet ishin diku 60 mijë dollarë dhe pastaj euro të ardhura.

Jam në gjendje t’i vërtetoj me vendime të bankës. Kam blerë nëpërmjet bankës një lokal që sot quhet Arbëria. Veprimet janë me bankë.

Familja ime përbëhet nga 5 vetë, unë, bashkëshortja, dy vajza dhe djali që nuk është më.

Më vjen turp që të vij për llaç e për tulla. Me kërkesën time kam dhënë deklarime për djalin tim. Më kanë ardhur dhe më kanë marrë te shtëpia dhe prej atij momenti nuk kam asnjë informacion.”

Sot banoj në Fushë Kuqe. Deri në 2008 asnjë nga fëmijët nuk bënte punë, ishin në shkollë. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë, ka shkuar rreth vitit 2000-2001 me bursë dhe studioi ekonomi. Visi më pas u transferua nga Italia në Tiranë dhe kjo përkon me blerjen e një banese në rrugën Hime Kolli.

Ervisi ka qenë nxënës i mirë, i la përgjysmë dhe erdhi në Tiranë. Visi ishte shumë punëtor. Në Itali nuk ka bërë asnjë punë. Me ardhjen nga Italia më ka kërkuar ndihmë. Ju kam blerë dy makina, 1 makinë vajzave dhe 1 Visit.

Djali nuk na ka sjellë asnjë lloj shqetësimi. Kemi pasur raporte të rregullta. Kur ishte në Itali s’kishte nevojë për lekë se kishte bursë. Shoqërinë atje e kishte me laçjanë.

Nga 2008 e pas, kur Visi erdhi në Tiranë, është marrë me pika lloto me licensë. Ka pasur disa pika llotove. Unë vetë nuk jam marrë me lojëra fati.

Kam dijeni që djali është dënuar me lojëra fati. I kam kaluar të gjitha nga Banka e Shqipërisë tek pastrimi i parave.

Biseren Hato e njoh pas ngjarjes në Bllok në vitin 2018, ku u plagos djali dhe është vrarë një tjetër. Vrasësit nuk ka bërë asnjë ditë burg.

Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Biserë Hatos, ja ka falur im bir Eljo Hatos me pëlqimin tim. Falja e banesës është veç e veç se Eljo Hato, djali i Biserës, i ka shpëtuar jetën Visit.

Lloto sportin djali e ka ushtruar për 6-7 vjet, por e mbylli qeveria. Pas vitit 2018 ka ardhur me jetu në Fushë Kuqe me gjithë familje. Në Fushë Kuqe Visi merrej me gjueti peshku. Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, 9 gusht 2022."