Do i bënte urë motrës/ Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiakja e Tropojës, 6 muaj për ndërtuesin
Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me 2 vite e 1 muaj burg. Islamaj akuzohet për korrupsion pasiv, por dënimi me mbi 2 vite burg do të konvertohet me 2 vite shërbim prove, me kusht që ajo të mos kryejë tjetër vepër penale.
GJKKO i ka hequr Islamajt të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Për të njëjtën çështje, GJKKO ka dënuar edhe ndërtuesin Rrok Gega me 6 muaj burg, dënim që u pezullua duke u vendosur në shërbim prove për 1 vit.
SPAK akuzonte Islamajn për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Gegën për korrupsion aktiv. Sipas dosjes, bëhet fjalë për një tender ku Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, urë e cila nuk ishte parashikuar në projekt.
