LIGJI I GJUHËS SHQIPE NË RMV/ Durmishi: Qeveria nis reformën e re që synon lehtësimin e procesit për studentët

Në një lidhje direkte për Ora News, ka qenë  një përfaqësues i qeverisë, i cili foli për nismën e re lidhur me provimet profesionale në gjuhën shqipe dhe zhvillimet politike rreth kësaj çështjeje.

Ai bëri të ditur se është ngritur një grup pune që po trajton jo vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe të gjitha provimet profesionale, me synimin që ato të zhvillohen në gjuhën shqipe për të gjithë kandidatët dhe profesionistët.

Sipas tij, pritet që së shpejti të publikohet një propozim konkret që do t’u japë zgjidhje studentëve dhe qytetarëve që preken nga kjo problematikë.

“Që në momentin që është hapur kjo problematikë, kemi ngritur një grup pune që po e trajton në mënyrë më të thelluar. Nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e jurisprudencës, por për të gjitha provimet profesionale që të jepen në gjuhën shqipe, në mënyrë që profesionistët të mos kenë pengesa gjatë procesit të tyre.”-tha ai.

Ndërkohë, gjatë intervistës u diskutua edhe për debatet politike që kanë shoqëruar këtë nismë dhe akuzat për përdorim të çështjes në fushën politike.

Përfaqësuesi i qeverisë u shpreh se qëndrimi i tyre është mbështetja për studentët, por pa lejuar që kërkesat e tyre të përdoren për qëllime politike ditore.

Ai shtoi se opozita ka pasur përgjegjësi institucionale për vite me radhë dhe nuk ka adresuar më herët këtë çështje.

“Kemi kërkuar që kjo çështje të mos përdoret politikisht. Ne i përkrahim studentët, por është e rëndësishme që kërkesat e tyre të mos instrumentalizohen për interesa të momentit, siç fatkeqësisht po ndodh nga opozita.”-u shpreh Durmishi.