Protesta e studentëve për provimin në shqip/ Sulejmani: Po punohet për një zgjidhje ligjore

Pas protestës së dytë të studentëve që kërkojnë mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, ka ardhur një reagim nga qeveria.

Bëhet e ditur se kërkesat e studentëve janë dëgjuar dhe tashmë janë ndërmarrë hapat e parë konkretë për adresimin e këtij problemi.

Për të folur më tepër rreth kësaj teme, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte Driton Sulejmani, Zv.minister i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, i cili u shpreh se ka nisur procedura për zgjidhjen e çështjes.

Në kuadër të qeverisë është formuar një grup pune i përbërë nga ekspertë, i cili ka për detyrë të gjejë një zgjidhje ligjore që do t'u mundësonte studentëve të drejtësisë ta japin provimin në gjuhën e tyre amtare.

"Realisht dje ka qenë protesta e dytë që kanë organizuar studentët për kërkesën e tyre për ta dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

Ne i kemi dëgjuar kërkesat e tyre qysh herën e parë, para se të mbahet protesta. Realisht kam pasur takime me përfaqësues qeveritarë, konkretisht me zëvendëskryeministrin e parë, zotëri Bekim Sali.

Pastaj janë takuar edhe me bashkëkryetarët e VLEN-it, zotëri Kasami dhe Mexhiti, dhe menjëherë pas atij takimi kemi filluar procedurën për ta zgjidhur këtë problem, të cilin e kanë paraqitur studentët.

Në kuadër të qeverisë është formuar një grup pune i përbërë prej ekspertëve, të cilët po kërkojnë një zgjidhje ligjore që do t'ju mundësonte studentëve që ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Mirëpo, në këtë grup nuk po punohet vetëm për këtë provim, sepse, sa për njoftim të opinionit, edhe disa provime të tjera profesionale gjithashtu jepen vetëm në gjuhën maqedone dhe ëh, intenca jonë në këtë rast është që të gjejmë një zgjidhje edhe për ato provime të tjera. 

Ka dhe edhe profesione të tjera, të cilët kur i nënshtrohen provimet profesional, atë provim e japin vetëm në gjuhën maqedone. Por ka edhe raste të tilla të cilët e japin edhe në gjuhën shqipe, për shembull, provimi për administratë shtetërore jepet edhe në gjuhën shqipe. Kemi rregulluar më herët provimin profesional për mjek, i cili jepet në gjuhën shqipe, por kanë mbetur edhe disa prej profesioneve të cilët duhet të rregullohen", u shpreh Sulejmani.

Ndiqni intervistën e plotë: