Luftë për Gjuhën Shqipe në Shkup? Profesoresha:  Kërkesa e studentëve, legjitime. Ndalimi i Shqipes, mendësi të prapambetur, në mos raciste

Dhjetëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke deklaruar se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet, protestat do të vijojnë.

Çështja, e cila kulmoi me një protestë masive në Shkup nën sloganin "Gjuha shqipe nuk negociohet", ka vënë përballë studentët, të cilët argumentojnë se kjo është një e drejtë kushtetuese, dhe Ministrinë e Drejtësisë, e cila këmbëngul se gjuha maqedonase është baza e sistemit juridik të vendit.

Në një lidhje direkte në studion e lajmeve në “Ora News”, një nga studentet pjesëmarrëse në protestë, Suela Bushi, theksoi vendosmërinë e tyre.

“Ne kemi dalë për të kërkuar provimin në gjuhën shqipe dhe të na respektohet gjuha jonë amtare. Studiojmë katër ose pesë vite në gjuhën shqipe dhe kërkojmë që edhe ky provim të mbahet në gjuhën tonë,” u shpreh ajo.

E pyetur se cili do të jetë hapi i radhës nëse kërkesa nuk plotësohet, ajo u përgjigj prerë: “Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me protestat e radhës.”

Përplasja ka kaluar tashmë kufijtë e një debati arsimor, duke u shndërruar në një çështje të të drejtave themelore dhe dinjitetit kombëtar. Sipas profesoreshës së Gjuhës Shqipe, Elsa Skënderi Rakipllari, kërkesa e studentëve është “krejtësisht legjitime dhe e arsyeshme” dhe mbështetet nga çdo shqiptar.

Ajo argumenton se kjo nuk është thjesht kërkesa e një grupi studentësh, por “e drejta për t’u përfaqësuar me gjuhën e tyre amtare e të gjithë shqiptarëve, që janë një faktor shtet-ndërtues në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Profesoresha e cilësoi çështjen si një problem dinjiteti njerëzor, duke e quajtur mohimin e të drejtave gjuhësore si një “mendësi të prapambetur, në mos raciste”. Sipas saj, çështja shkon përtej arsimit dhe prek thelbin e statusit dhe përfaqësimit të komunitetit shqiptar në vend.

Pavarësisht një premtimi të mëhershëm nga zëvendësministri i arsimit se çështja do të zgjidhej, situata mbetet e paqartë, ndërsa studentët shprehen të vendosur për të çuar deri në fund betejën e tyre për gjuhën shqipe.