Drejtonte makinën i dehur dhe rrezikoi efektivët, Gjykata e Durrësit lë në burg 44-vjeçarin Rezart Abazaj
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili pak ditë më parë rrezikoi jetën e efektivëve të policisë gjatë një ndjekjeje të tensionuar në rrugë.
Abazaj drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe pa targa, ndërsa nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Për rreth 30 minuta, efektivët e ndoqën 44-vjeçarin, i cili tentoi t’i shpëtonte ndalimit duke kryer manovra të rrezikshme.
Gjatë ndjekjes, policia e ka goditur disa herë automjetin e tij me qëllim neutralizimin, por në fund ka qenë vetë 44-vjeçari që ka përplasur mjetin e policisë, duke lënduar edhe një efektiv.
Pas arrestimit, ndaj tij u zhvillua seanca gjyqësore, ku Gjykata e Durrësit vendosi masën “arrest në burg”, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
