Përfundon seanca/ Kushtetuesja pa vendim për Erion Veliajn
Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën ndaj Erion Veliaj dhe shtatë të pandehurve të tjerë. Bëhet me dije, se shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës, ndërkohë që seanca e rradhës do të mbahet në 3 qershor.
Të pandehurit po gjykohen të veçuar nga Veliaj, me procedurë të gjykimit të shkurtuar. Në seancën e sotme pritej që Prokuroria e Posaçme, të lexonte pretencën ndaj të pandehurve, por procesi u ndërpre dhe u shty për në fillim të muajit qershor. Gjykata e Posaçme pritet të vijojë shqyrtimin e çështjes në seancën e ardhshme, ku SPAK do të paraqesë kërkesat përfundimtare për secilin prej të pandehurve.
Për çfarë akuzohej Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
