Çfarë ndodhi në seancën e Kristian Shkrelit? Tre dëshmitarë në GJKKO, ja veprimet me Bashkinë e Vaut të Dejësit
Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kreut të bashkisë së Vaut të Dejësit, Kristian Shkreli, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme i ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ashtu sikurse në seancën e kaluar, SPAK edhe këtë të martë ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.
Këtë të martë u paraqit Frano Dajani, kryeplak i fshatit Stajkë.
Frano Dajani: Jam banor i fshatit Stajkë. Nuk jam në dijeni të ndonjë remonti të ndërtuar. Unë jam kryeplak i fshatit. Di që ajo zonë ka qenë me probleme dhe më kanë thirrur disa herë. Kanë qenë me shtylla druri. Investimin nuk e di kush e ka bërë. Sajmir Zaganin e njoh, di që është përgjegjës në KESH. E kam ngritur disa herë tek ky person problemin. E kemi biseduar disa herë nëpër mbledhje për problemin që kishte fshati Stajkë.
Dëshmitari tjetër, Marsel Gjonaj, punonjës i sektorit jurdik në bashkinë Vau Dejës.
Marsel Gjonaj: Jam specialist tek sektori i prokurimeve në bashkinë Vau Dejës. Unë e di që është bërë nga OSHEE Vau Dejës. Është bërë në fshatin Stajkë. Ka diku 1 vit e gjysmë që është bërë. Babi ka një makinë me kosh dhe e marrin elektriçistët e zonës dhe shkon i ndihmon. Frrok Markun e njoh, është elektriçist i zonës. Kristian Shkreli nuk më ka marrë në telefon dhe s’më ka kërkuar asnjë ndihmë për makinën.
Po ashtu dëshmi ka dhënë edhe Gjergj Gjonaj, përsoni që ka makinën me kosh që i është vënë në ndihmë elektricistëve.
Gjergj Gjonaj: Unë kam punuar elektriçist. Unë kam një makinë me kosh. Kishin shtrirë një linjë elektrike dhe më kanë marrë në telefon dhe shkoj i ndihmoj. Kam punuar 1 ditë 3-4 orë. Unë kam punuar me vinç. Mua me ka marrë në telefon Frrok Marku, kam shkuar ta ndihmoj. Me Kristian Shkrelin nuk jam takuar, as nuk kam folur me të. Mua vetëm më ka thënë kolegu: “Hajde më ndihmo”.
Seanca e radhës u shty për në datën 26 maj, ora 14:00 për të pyetur edhe tri dëshmitarë të tjerë.

